Dy policët të cilët dhunuan të riun Tomi Misha në Korçë si dhe zëvendësdrejtori Arben Hyseni i cili ishte i pranishëm por nuk ndërhyri në këtë ngjarje, janë përjashtuar përfundimisht nga radhët e uniformave blu.
Vendimi është marrë ditën e sotme pas videos së publikuar ku të përjashtuar janë efektivët Robert Memelli dhe Nezat Blushi si dhe nëndrejtori Hyseni. Të tre këta efektivë, ishin pezulluar përkohësisht nga detyra pas publikimit të videos, deri në përfundim të hetimeve. Por edhe pse hetimet nga ana e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm ndaj policëve dhe nëndrejtorit vijon, sërish është marrë vendimi për përjashtimin përfundimtar të tyre.
Ndërkohë ditën e djeshme, Gjykata e Korçës vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për Tomi Misha 33 vjeç, i cili u dhunua nga 2 efektivët e policisë. Kjo pasi ai akuzohet se ka kundërshtuar uniformat blu.
Në videon në fjalë, konflikti mes policisë dhe 33 vjeçarit nis pasi ky i fundit përplasi makinën e nëndrejtorit Arben Hyseni. Me ardhjen e tyre, dy efektivët Memelli dhe Blushi, pas një debati verbal me të riun, nisin ta godasin atë me shpullë, ndërsa nëndrejtori Hyseni qëndron qetësisht në automjetin e tij pa ndërhyrë.