Ekspertët njohës të situatës së përgjimeve në Maqedoni e kanë cilësuar këtë çështje si tepër të ndërlikuar dhe që përmban në vetvete dy aspekte të ndryshme të veprave penale.
Sipas tyre është vetë përgjimi si vepër penale, për të cilën prokurori ka kompetenca të ngrejë procedurë për përgjegjësi penale kundër autorëve të këtyre veprave.
Vihet re se Prokurori jo vetëm që nuk ka nisur ndonjë procedurë, por as nuk ka komentuar zhvillimet, ndërkohë që hesht edhe për çështjen tjetër, ku nëpërmjet përgjimeve po zbulohen vepra, të cilat i kanë kryer funksionarë të lartë shtetërorë dhe që duhet ti nënshtrohen organeve të përndjekjes.
Këto vepra kanë të bëjnë me tejkalimin e kompetencave dhe keqpërdorim të pushtetit në bashkëpunim me organet gjyqësore, duke shantazhuar, kërcënuar dhe burgosur ata që mendojnë ndryshe.
Eksperti juridik Osman Kadriu, që dikur kryesonte me Komitetin e Helsinkut për të drejtat e njeriut në Maqedoni, nuk beson në epilog juridik, pasi siç thotë ai, edhe vetë Prokuroria është e implikuar në këto afera. Z. Kadriu e ka cilësuar organin e akuzës si një vegël të pushtetit.
“Këto probleme nuk janë të natyrës politike, por janë të asaj juridike, pasi kemi të bëjmë me keqpërdorim të pushtetit, kontrollin të plotë të gjyqësorit, që vë në pikëpyetje sundimin e së drejtës. Vetëm një EULEX për Maqedoninë mund të nxjerrë në binarë të drejtë shtetin”, – thotë Kadriu.
Akademiku Abdylmenaf Begjeti, shkon edhe më larg. Ai kërkon protektorat mbi shtetin. Në një postim të tij akademiku shkruan: “Në fund, pas “plasjeve të radhës” do të rezultojë se në të gjitha shtyllat do duhet qeverisje e jashtme, jo teknike por ndërkombëtare derisa të kalojë faza e emergjencës së institucioneve publike”./teshesi.com/