Nga Drilon Sylejmani
Futbollistët e Llapit, para ndeshjes me Prishtinën shpalosën një mesazh në të cilin transmetohej “Misioni i presidentit Vokrrit”, duke aloduar për pranimin e futbollit të Kosovës në instancat më të larta të futbollit evropian dhe botëror. Por, cili ishte realiteti i një ndeshjeje e cila duhej shërbyer si imazh pozitiv për futbollin tonë?!
Ditë më parë, Federata e Futbollit të Kosovës dorëzoi dokumentet për aplikim me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA, dhe për një moment u krijua bindja se kjo do të jetë pranvera e fundit që do ta gjejë futbollin kosovar të izoluar.
Shpresë kjo e cili shpejtë do të venitej, jo për faktin se futbolli i Kosovës u refuzua të pranohej në shtëpinë e madhe të futbollit, por se ky futboll ndodhet disa vite prapa atij evropian e botëror.
Ndeshja e së mërkurës e zhvilluar ndërmjet Llapit dhe Prishtinës edhe njëherë vertetoi paaftësinë e institucioneve shtërore dhe gjithë atyre mekanizmave përcjellës, se nuk e kanë lëvizuar as edhe gurin më të vogël për t`i ndërtuar një arenë të vertë sportive me të cilin do të krenoheshim të gjithë.
Dueli i vlefshëm për çerekfinalen e DigitAlb-Kupës së Kosovës u zhvillua në një “humnerë” të mbuluar nga balta dhe era e kanalizimeve të ndryshme. Për një moment, memoria u kthye 15 vite prapa, duke na u shfaqur pamjet e brishta të Llukarit, koha kur futbolli i Kosovës nuk mund të dilte nga balta.
Baltë kjo që po e përcjell edhe më tutje lojën më të bukur në botë, të cilën kosovarët e zhytën në pafundësisht duke treguar se ende nuk janë të gatshëm të jenë pjesë e një shtëpie nëpër të cilën hynë të gjitha vendet e Evropës në përjashtim të Kosovës.
Edhe më zhgënjyese e bën fakti se kjo ndeshje u transmetua direkt në SuperSport Kosova nga kompania DigitAlb e cila ka fituar të drejtat e transmetimit direkt të ndeshjes.
Marrja dhe turpi u përcoll në çdo skaj të botë që dëgjohet sinjali i DigitAlb. Qindra e mijra komente nga vendet më tën dryshme të evropës, me shqiptarë anekënd u tmerruan nga pamjet që kishin parë nga një fushë që vetëm e futbollit nuk mund të ishte.
Me lojtarët të cilët nuk dallonin njëri tjetrin pasi ngjyrat e fanelës ishin zëvendësuar me baltën të cilën asesi ta heqim nga trupi dhe mendja jonë. Të drejtën për zhvillim e kësaj ndeshje në “ndyrësirë” e dha një njeri i cili cilësohej si e ardhmja e referimit të futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare.
Gjyqtari më i mirë në Kosovë, Besfort Kasumi sikurse mbylli sytë pranë moçalit në të cilin ndodhej vetë, ka rrezikuar ta nisë një ndeshje e cila mund të fundoste shumë futbollistë poshtë saj, madje edhe vetë futbollin e Kosovës.
Si për ironi të fatit po në këtë ditë u zhvilluan ndeshjet e Ligës së Kampioneve, arenës së vertetë të futbollit në Evropë. Pas largimit të baltës dhe aromës nga teshat e tyre, futbollistët në mbrëmje janë ulur pranë divanit për të parë atë se me të vërtetë çka quajmë futboll.
Ndoshta të zhgënjyer edhe disa herë më shumë pasi kanë parë vetëm me kilometra larg profesionalizmit, por shumë të vetëdishëm se ne ende nuk jemi gati të jemi pjesë e arenës ku me të vërtetë vije aroma futboll.
Disa futbollistë tashmë kanë hequr këpucët e tyre duke vendosur të mos luajnë në terrenet tona sportive të cilat ngjasojnë në moçale dhe mundësia për të rënë poshtë saj është relativisht bukur e madhe.
Nuk do të ketë gomë që do ta na fshinte nga memorja pamjet të cilat i përjetum live nga Podujeva. Por, le të jetë ky një mësim i mirë që të shërbejë dhe vetëdisojë shoqërinë kosovare se duhet punuar shumë më shumë për të qenë pjesë e asaj që dëshirojmë të jemë tani e sa vite.
Urojmë që ngjarjet e tilla mos të na përsëriten kurrë më dhe të shohim punën në vend të fjalës!