Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Një supermarket në Kosovë pa produkte serbe: hall vetëm coca-cola që importohet nga Serbia e nuk lejohet nga Shqipëria

Nga Bashkim Kastrati

Produktet serbe importohet me të madhe në Kosovë. Këto produkte janë dominuese në tregun e Kosovës, ndërsa ka pasur raportime të shumta për cilësinë e dobët të tyre. Por pavarësisht këtij fakti ato mbeten çuditërisht të preferuara.

Edhe pse ndër vite ka patur iniciativa të ndryshme për të bojkotuar këto produkte, që shteti serb të mos përfitojë qindra miliona euro nga Kosova, për shkak dhe të cilësisë së tyre dhe për faktin se produktet e Kosovës nuk janë lejuar të eksportohen në Serbi, prapë se prapë këto produkte janë të pranishme në Kosovë. Vetëm brenda një viti, Serbia nga eksportimi i mallrave përfiton nga Kosova 500 milionë euro.

Por ka disa supermarkete, që në fakt janë të pakta, por që kanë marrë guximin që t’i bojkotojnë tërësisht produktet serbe. Ndër ta është edhe “Plus Market” në Ferizaj. Edhe pse një iniciativë e tillë është e rrezikshme dhe mund të çojë deri të falimentimi i biznesit, pasi që bojkotohen produktet që dominojnë tregun, prapë se prapë pronarët e këtij supermarketi kanë vendosur ta marrin këtë vendim që nga viti 2008.

Pra, në këtë supermarket nuk ka fare produkte serbe, ato janë zëvendësuar me produkte vendore, ndërsa kur nuk ka pasur zëvendësime, janë importuar nga vende të tjera.

Kjo iniciativë është përkrahur edhe nga një pjesë e qytetarëve, sepse ka nga ata që janë bërë konsumatorë të këtij supermarketi vetëm për faktin se i ka thënë “JO” produkteve serbe.

Remzi Bytyqi, menaxheri i “Plus market” në Ferizaj, ka thënë për tesheshi.com se fillimisht ka qenë sfiduese të ndërmerret vendimi që të mos shesin asnjë produkt të Serbisë në supermarketin e tyre. Ai thotë se ka qytetarë që vijnë të blejnë në këtë market vetëm për faktin se aty nuk ka asnjë produkt të importuar nga Serbia dhe kjo iniciativë ju ka pëlqyer.

Tutje, Bytyqi thotë se nuk kanë ankesa për sigurinë e produkteve sidomos ushqimore, kjo ceket për faktin se produktet serbe shpesh janë jokualitative dhe janë gjetur edhe insekte në brendi të tyre.

remzi bytyqi

“Sa i përket produkteve serbe, ne prej luftës nuk i kemi përkrahur fare,  kurse në vitin 2008 ju kemi thanë jo këtyre produkteve. Jemi të pakët në Kosovë që punojmë me këtë qëllim. Qëllimi është se duhet të mos hynë fare në Kosovë këto produkte të dyshimta nga Serbia. Ka shumë klientë që vijnë tek ne vetëm se janë të sigurt se çka konsumojnë”, thotë Bytyqi.

Coca-cola lejohet të importohet nga Serbia, por jo nga Shqipëria

Brenga apo frika se nuk do të ketë punë është tejkaluar, pasi që supermarketi në fjalë është duke funksionuar mirë. Por problemi kryesor qëndron tek fakti se ‘Plus Market’ dhe disa markete tjera që nuk mbajnë produkte serbe, e kanë problem më të madh importimin e coca-colës, pasi që ky produkt importohet vetëm nga Serbia.

Remzi Bytyqi thotë se nuk e dinë arsyen pse produkti në fjalë nuk lejohet të mbushet në Kosovë, pasi që Kosova ka numër të konsiderueshëm të banorëve, ndërsa thotë edhe më i keq është fakti që ky produkt goxha i kërkuar në Kosovë nuk mund të importohet as nga Shqipëria.

“Kemi pak vështirësi vetëm me produkte të coca-colës, pasi që nuk po mundemi që ta importojmë prej Shqipërisë apo Maqedonisë në asnjë mënyrë. Nuk kam njohuri për ketë masë të ndalimit, por kërkojmë nga Dogana e Kosovës dhe institucionet e Kosovës që ky produkt të futët dhe të përfiton edhe Shqipëria edhe Kosova. Nuk e di, pse dhe kush nuk e lejon “Fluidin” të mbush coca-colën, kur dihet se kjo fabrikë plotëson të gjitha standardët evropiane”, u shpreh Bytyqi.

Në një periudhë, mbushja e coca-colës ishte bërë në Kosovë nga kompania “Fluidi”dhe ky produkt është shitur jashtëzakonisht shumë dhe është vlerësuar me standarde shumë të mira.

Ja pse coca-cola importohet vetëm nga Serbia

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), ka thënë për tesheshi.com se ka një hezitim të kompanive të mëdha që të vijnë në Kosovë, pasi që produktet e tyre kanë prani të mjaftueshme në tregun e Kosovës.

“Politika aktuale që aplikohet në Kosovë rreth zhvillimit të ekonomisë dhe prodhimit janë tepër diskriminuese dhe në ketë drejtim korporatat e fuqishme hezitojnë që të vijnë në Kosovë në mënyra të organizmit të prodhimit, por e kanë gjetur mundësinë që të jenë prezent me produkte nga vendet ku janë më të forta”, thotë Shahini.

Ai thotë se në Kosovë nuk ka kompani të fuqishme me brend të madh, dhe se në këtë rast coca – cola është një brend i njohur  që prodhohet në vendet e rajonit si Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia, ndërsa në Kosovë jo.

Dihet se Kosova ka numër më të madh të banorëve se Mali i Zi dhe të përafërt me Maqedoninë, dhe është e pakuptimtë që ky produkt të mos mbushet edhe në Kosovë.

“Në Kosovë nuk është prezent ky produkt, kurse dihet se Kosova e ka pasur fabrikën edhe para se ajo të hapet në disa nga vendet e rajonit. AKB i ka drejtuar një shkresë kompanisë coca-cola në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe e ka pyetur përse po ndodh një gjë e tillë, dhe përgjigja është se politikat e coca-colës e kanë vlerësuar se në Kosovë nuk ka nevojë që të jenë me një prodhim shtesë, por të mbulohet nga vendet rajonale”, theksoi Shahini.

Në këtë situatë po përfiton Serbia, e cila e ka autorizimin që të mbulojë tregun e Kosovës, e që sipas Agim Shahinit brenda një viti eksporton 20 milionë euro vetëm për produktin e coca-colës.

“Ata (coca-cola) i kanë ndarë tregjet në Ballkan dhe ia kanë lënë Serbisë tregun Kosovës. Pra nga vendet tjera coca-cola e ka ndaluar importimin dhe këtë ekskluzivitet ia ka lënë Serbisë. Ne jemi duke bërë përpjekje që me e mundësua importimin edhe nga vendet e tjera, por edhe që të prodhohet në Kosovë. Aktualisht nuk ka diçka konkrete në këtë drejtim, por ne jemi duke bërë përpjekje që ta arrijmë këtë”, u shpreh Shahini.

Ai thotë se institucionet e Kosovës duhet që të merren më seriozisht me këtë çështje dhe se kanë mundësi që ta kushtëzojnë kompaninë coca-cola në mënyra të ndryshme, që të hapë fabrikë për mbushjen e këtij produkti edhe në Kosovës ose të paktën që të importohet edhe nga vendet e tjera, pasi që sipas tij, në të kundërtën është cenim i të drejtës së konsumatorit për të blerë atë që dëshiron, pasi që siç është tani po i imponohet blerja e këtij produkti që importohet vetëm nga Serbia.

“Institucionet gjithmonë e kanë të drejtën dhe fuqinë që t’i kushtëzojnë këto kompani të mëdha me brende, që nëse nuk ia jep të drejtën që ta prodhojë në Kosovë, ta paralajmërojë se mund t’i bëjë një akcizë shtesë”, përfundoi Shahini.

Në lidhje me këtë çështje, tesheshi.com i ka dërguar pyetje edhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, për t’i pyetur rreth angazhimit të tyre eventual për këtë çështje dhe se a mund të pritet që coca-cola të mbushet edhe në Kosovë, apo të importohet edhe nga vendet e tjera të rajonit. Por edhe pas pritjes për dy javë dhe tentimeve për t’i kontaktuar, nuk kemi marrë përgjigje për këtë çështje nga kjo ministri. /tesheshi.com/

 

 

 

auto pjese dak

Related posts