Kjo letër ka ditë që qarkullon në rrjetet sociale italiane dhe i është drejtuar jo vetëm Netanjahut, por të gjithë politikës italiane, që të mos heshti dhe të bëhet bashkëpunëtore me krimet e regjimit nazist izraelit.
Zoti Netanjahu,
Po ju shkruaj me zemërimin e atij që ka parë shumë mizori dhe shumë indiferencë.
Po ju shkruaj me zërin e atij që nuk do të heshtë, sepse heshtja është gjithmonë fajtore.
Ajo që po ndodh në Gaza nuk është mbrojtje.
Është gjenocid. Është mizori e kthyer në strategji.
Është pushtet që shndërrohet në hakmarrje. Është një popull që vdes dy herë: nën bomba dhe në shpërfilljen e botës.
Unë nuk dua të jem bashkëfajtor.
Nuk dua të jem ndër ata që shikojnë diku tjetër, ndër ata “të shpërqendruarit”.
Holokausti nuk duhet kujtuar vetëm për tmerrin e një regjimi, por edhe për heshtjen që e bëri të mundur.
Miliona sy panë. Miliona gojë heshtën, ndërsa një popull – populli Juaj – po shfarosej.
Unë nuk kam qenë atje, por jam i bindur se nuk do të kisha heshtur.
Ju po e përdorni atë kujtesë si mburojë për të justifikuar mizori të reja.
Por nuk ka drejtësi në hakmarrje. Nuk mund të ketë paqe në një shtet që poshtëron, urinë, asgjëson.
Ju po e çoni drejt shkatërrimit jo një, por dy popuj, dhe i dyti është i juaji. Dhe me këta dy popuj, ju po e çoni drejt shkatërrimit njerëzimin mbarë.
Fëmijët nuk janë “pasojë anësore”. Janë fëmijë.
Si ata që ndoshta edhe Ju i keni mbajtur në krahë. Si ata që, ndoshta, ju kanë thirrur “baba”.
E megjithatë, ju i varrosni për së gjalli. I lini pa ujë, pa strehë, pa ëndrra.
Me sinqeritet po ju them se e gjej fyese emrin e operacionit ushtarak në vazhdim: “Qerret e Gideonit”.
Gideoni, në Bibël, është çlirimtari i Izraelit, i thirrur nga Zoti për të shpëtuar popullin e tij me drejtësi dhe përulësi.
Por Zoti nuk mund të jetë në anën e atij që shkatërron, që mbjell terror, që nëpërkëmb njerëzimin në emër të hakmarrjes.
Nuk mund të thirret e shenjta për të justifikuar të padenjën.
Nuk ju drejtohem si politikan. Po ju flas si qenie njerëzore. Si mësues. Si bir. Si baba.
Sepse dhimbja e palestinezëve është edhe dhimbja jonë, është dhimbja e njerëzimit, dhe është e padurueshme.
Ju luftoni “Hamasin”, por godisni spitale.
Flisni për “mbrojtje”, por shkatërroni lagje të tëra.
Thoni “paqe”, por ndërtoni mure dhe barriera.
E vërteta është se keni bërë nga frika një zanat.
Nga urrejtja, një ideologji. Nga pushtimi, një formë qeverisjeje.
Një ditë gjithçka do të marrë fund. Dhe Historia do të jetë atje për t’ju pritur, siç do të presë edhe udhëheqësit që e mundësuan gjithë këtë.
Nuk do të ketë medalje, por pyetje.
“Ku ishte ndërgjegjja juaj, zoti Netanjahu?”
“Ku ishte ndërgjegjja e atyre që mund të ju ndalonin dhe nuk e bënë?”
Nuk mund të thirret kujtesa e Holokaustit dhe, njëkohësisht, të ndërtohet një tjetër katastrofë.
Nuk mund të qajmë të vdekurit e së shkuarës dhe të injorojmë të vdekurit e së tashmes.
Unë nuk pranoj.
Nuk dua të hesht.
Sepse kush hesht sot, nesër nuk mund të thotë më: “Nuk e dija”.
Një qenie njerëzore.
Që ka zgjedhur të mos jetë bashkëfajtore.
Ju lutem ndajeni këtë mesazh dhe të shembim së bashku murin e heshtjes.