Askush nuk e zgjedh kohën kur do të jetojë, ajo është e rastësishme, por secili prej njerëzve, me apo pa dashje, rritet dhe formohet pikërisht në kornizat e kohës së tij.
Ndërsa brezat ndërrojnë, debati më i përhershëm është ai i shmangies nga vlerat për brezin pasues. Shpesh ky debat nuk është i mirëqenë dhe dukshëm njëri brez, ai më i riu, nuk ndryshon në thelb nga i vjetri. Kjo ndodh për shoqëritë që nuk pësojnë tronditje dhe të cilat prej kohësh kanë arritur të funksionojnë në favor të së mirës së përgjithshmë, e cila gjithmonë ‘përkthehet’ në të mirën e secilit, të individit.
Në Shqipëri ka më shumë se dy dekada që është tronditur sistemi i vlerave. Njëri brez, i vjetri, e kaloi rininë nën ideologji dhe në masë e besoi sistemin, pa e vënë kurrë në dyshim. Përpara dy dekadash e gjysmë solidariteti, sakrifica, altruizmi, besimi, ndershmëria, respekti për tjetrin, ishin disa nga karakteristikat që dominonin në kulturën tonë. Shpesh, në biseda për të kaluarën, më të moshuarit janë thuajse në një mendje kur vjen puna për sistemin e vlerave. Ata pak a shumë besojnë se, duke i hequr ideologjinë ( dhe varfërinë, lirinë e lëvizjes, luftën e klasave….) sistemit të shkuar, gjërat nuk ishin aq keq.
Në shkollë nxënësi dhe studenti i mirë ishte vetvetiu ai që studionte më shumë dhe që kishte aftësi, pavarësisht nga cila familje vinte dhe pavarësisht se çfarë mundësish financiare kishte familja e tij. Një student fshatar nga jugu ose nga veriu i thellë (me kusht që të mos ishte i deklasuar), mund të ngjiste shkallët e karrierës, bazuar kryesisht mbi aftësitë e tij. Dhe në brezin e të moshuarve të sotëm mund të gjesh pafundësisht raste të tilla: njerëz që ‘kanë ndërruar klasën’ falë aftësive të tyre, pa bërë makinacione, por thjesht duke qenë më të zotët. Asnjëherë nuk e kisha menduar se një sistem monist mund të gjeneronte vlera, por para shumë vjetësh, kur si studente pata rastin të dilja për herë të parë jashtë vendit, një bisedë me një profesor austriak, i cili e njihte mirë relitetin e Ballkanit dhe të Shqipërisë, më bëri të mendoja gjatë për të mirat dhe të këqijat e sistemit të ri. Asokohe m’u ngulit në mendje një shembull i thjeshtë që më tregoi ai profesor. Ai pyeti nëse gjyshi im e kishte bërë universitetin dhe unë i tregova se ai ishte një fshatar që nuk kishte pasur mundësi të shkollohej si duhej dhe se në vendin tim pak vetë në moshën e gjyshit tim kishin pasur fatin të mbaronin ndonjë universitet. Pyetja tjetër ishte nëse babai im e kishte kryer universitetin dhe përgjigja ishte:po. Madje im atë, jo vetëm kishte mbaruar universitetin, por edhe nuk kishte jetuar më në fshat. E mandej unë dhe fëmijët e tjerë të familjes kemi pasur më shumë mundësi për të marrë një arsim maksimal. Por a është sot e mundur kjo gjë?
Sa fëmijë fshatarësh të varfër kanë mundësi shkollimi dhe sa mundësi kanë sot fëmijët e talentuar të nxiten për t’u bërë dikushi në jetë? Sistemi i dikurshëm i vlerave është përmbysur dhe sot, kryesisht fëmijët e prindërve të pasur mund të ecin në jetë, ata mund të nxiten për karrierën, pavarësisht se mund të mos jenë aq të zotët.
Në të vërtetë perceptimi për suksesin dhe për vlerat duket i shtrembëruar sot në sytë e brezit më të ri. Nuk shihet më me respekt dikush që përpiqet për të arritur suksesin me ndershmëri, pa hile, pa miq e shokë. Më shumë një person i tillë shihet si nje mjeran dhe si një i dalë mode. Cilët janë shembujt që kanë të rinjtë e sotëm për suksesin dhe çfarë është sot vlera? Sociologët tanë nuk e studiojnë këtë dhe nuk flasin me statistika për fenomenin, por kushdo që punon me të rinjtë e kupton se ka një kaos në orientim për ta.
Në shkolla ata kanë mësues që nuk e shohin më mësimdhënien si mision dhe që pasditeve u kërkojnë të paguajnë kurse private për të njëjtat lëndë, që ata i japin si mësues të shkollave publike paradite. Në auditore ata kanë pedagogë që kanë hyrë në universitete shpesh pa konkurse transparente dhe që në orët e leksioneve u kujtojnë atyre se sa e mërzitshme është shkolla, përderisa këta pedagogë janë në ato vende pune thejsht për status, jo për pasion, jo për meritë. Janë shumë të rrallë mësimdhënësit e sotëm që i nxitin të rinjtë për të njohur kufijtë e vetes dhe të botës. Shpesh shkolla shkon si një kohë purgatori dhe vetëm orët e kafenesë prodhojnë kujtime.
Një ditë, e nxitur nga atmosfera e auditorit gjatë një leximi sociologjik të ‘Don Kishotit të Mançës’, u propozova studentëve të bënim një test anonim me pak pyetje, ku fokusi ishte arritja e një statusi, pa e merituar. Dhe, duke mos vënë emrat, studentët sinqerisht u përgjigjën se do ta pranonin postin e ministrit, të drejtorit të drejtorisë, të pedagogut, dekanit, shefit, etj, nëse ky post u ofrohej menjëherë pas studimeve, pra në moshën 23 vjeçare dhe pa ndonjë arritje të theksuar. Justifikimi në masë ishte se shumë persona që ata i njihnin drejtpërdrejt ose nëpërmjet medias, i mbanin këto pozicione dhe ata ishin të suksesshëm sipas perceptimit të tyre. Por kur u pyetën për vlerën relative të suksesit referuar sistemit të vlerave, mënyrës së arritjes, kohës dhe vendit, ata nuk ishin fort të qartë. Megjithatë e dinin se ka një dallim të madh mes arritjes ‘së pastër’, të pandikuar nga politika, paratë dhe rrethanat e tjera dhe ‘arritjes false’, e cila zgjat sa zgjat koniuktura.
Shija që të lenë gjykime të tilla në masë, nuk është fort e këndshme. Ideja se mund të ndryshosh diçka në perceptimin e sotëm për vlerën, duket se mbetet utopi. Nëse individët që ne i emërtojmë ’elitë’ i kanë arritur ‘sukseset’ e tyre duke përdoror çdo mjet dhe nëse ata qëndrojnë në krye vetëm në sajë të koniukturës, atëherë brezi i ri i sotëm është seriozisht i rrezikuar nga mashtrimi për vlerën. Është vetë sistemi që prodhon këtë rreth vicioz mashtrimi dhe është e mjerueshme, që në një sistem lirie të kujtosh me nostalgji liritë e humbura qi i kishe dikur, në një sistem diktature.