Çdo ditë lexojmë për gra dhe vajza nga e tërë bota, të cilat bien viktima të dhunës së urryer. Prej grave irakiane të grabituar dhe të skllavëruara nga ISIL-i e deri te nxënëset nigeriane të kidnapuara dhe të martuara me forcë, këto tragjedi duket sikur e kanë kohën në mesjetë.
Shumë shpesh gratë e bartin barrën e luftës. Të gjithë e kemi për detyrë që të bëjmë gjithçka që mundemi dhe me tërë fuqinë tonë për ta ndalur këtë dhunë të neveritshme kudo dhe kurdo që ndodh. Por, kjo është vetëm një pjesë e tregimit të grave në shek. XXI.
Do të dëshiroja të propozoj një titull tjetër; një rrëfim tjetër. Edhe pse ndoshta puna e tyre jo gjithmonë del në faqe të parë të gazetave, megjithatë gratë po përballen me çështjet më të ngutshme globale. Duke vënë veten në rrezik të madh, ato po e luftojnë varfërinë, diskriminimin dhe dhunën që familjet e tyre, rrethi dhe vendet e tyre të jetojnë jetë më të mirë.
Si Sekretar i Shtetit, e shoh fuqinë e grave çdo ditë në çdo vend që e vizitoj – që nga Afganistani ku ato po krijojnë mundësi për brezin e ardhshëm e deri te Liberia, ku Presidentja Ellen Johnson Sirleaf po i ndërton themelet e demokracisë.
Të premten, Departamenti i Shtetit i nderoi dhjetë gra të tilla me Çmimin Ndërkombëtar për Gra të Guximshme. Laureatet tona paraqesin vetëm një pjesë të vogël të grave nga e tërë bota që punojnë për avancimin e paqes, sigurisë dhe barazisë gjinore, por tregimet e tyre individuale të trimërisë përfaqësojnë ndikimin pozitiv që gratë e fuqizuara mund ta bëjnë kudo.
Në Kosovë, gazetarja Arbana Xharra ka shkruar një varg të artikujve hulumtues mbi ekstremistët fetarë në vendin e saj. Me përpjekjet e saj të palodhshme, ajo nxorri në dritë lidhjet me organizatat e huaja terroriste, gjë që na ndihmon për ta luftuar rritjen e ekstremizmit radikal që po kërcënon paqen dhe begatinë në botë. Shembulli i saj ka nxitur një brez të ri të gazetarëve që punojnë në një demokraci në lindje e sipër për tu ngritur kundër padrejtësisë dhe korrupsionit.
Në Siri, lufta civile dhe kriza humanitare po e destabilizojnë një rajon të tërë. Majd Chourbaji ia ka kushtuar jetën e saj mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe avokimit në emër të të paraburgosurve. Kur regjimi i Asadit e arrestoi dhe e futi në burg për shkak të punës së saj avokuese, ajo ua ktheu këtë duke iu ndihmuar grave në burgun ku po mbahej edhe ajo për të luftuar për drejtësi për vete dhe për proces të drejtë. Përpjekjet e saj sollën lirimin e 83 të burgosurave. Tani ajo jeton në Liban dhe punon përmes qendrave të organizatës “Gratë Tash për Zhvillim” për t’iu ndihmuar refugjateve siriane për të gjetur stabilitet ekonomik dhe shoqëror duke i përgatitur për të marrë pjesë në përpjekjet për ndërtimin e paqes në nivel lokal dhe kombëtar.
Kurse në Guine, gratë si Marie Claire Tchecola janë në ballë të frontit të luftës kundër ebolës. Si infermiere e qendrës emergjente në spitalin Donka në kryeqytetin e Guinesë, z-nja Tchecola ia ka kushtuar jetën e saj përkujdesjes për pacientët me ebola përkundër mungesës së mjeteve bazë mbrojtëse si dorëzat. Kur u infektua, ajo mori masa për t’i mbrojtur punëtorët e tjerë dhe familjen e saj që të mos infektohen me këtë sëmundje – dhe kur u shërua ajo iu kthye punës. Përmes udhëheqjes së saj në Shoqatën e të Mbijetuarve nga Ebola të Guinesë, ajo vazhdon të përhapë vetëdijen për këtë sëmundje dhe ta luftojë njollën që iu vihet të mbijetuarve.
Këto tri gra janë përballur me rrethana dhe pengesa të veçanta në anë të ndryshme të botës. Por, secila prej tyre – si dhe të gjitha laureatet tjera që u nderuan – e gjetën mënyrën për të qëndruar kryelartë dhe të forta e për t’u bërë nxitëse të ndryshimit.
Shfrytëzimi i fuqisë dhe potencialit të grave është thelbësor për adresimin e sfidave globale me të cilat përballemi. Dëshmia për këtë shihet qartë. Kur gratë dhe vajzat kanë qasje në edukim, përkujdesje shëndetësore dhe punë, familjet dhe bashkësitë e tyre janë më produktive dhe më stabile. Por, edhe e kundërta është po ashtu e vërtetë: kur gratë janë të përjashtuara dhe të viktimizuara, shoqëritë lëngojnë rëndë.
Prandaj, ne nuk do të zbrapsemi para atyre që kërkojnë t’i nënvleftësojnë ose t’i dëbojnë gratë dhe vajzat në skajet e shoqërisë. Ne nuk e pranojmë dhunimin si nënprodukt të konfliktit. Nuk do t’i pranojmë martesat në moshë të re dhe me dhunë të vajzave si normë shoqërore. Dhe nuk do t’i harrojmë ato që janë mbajtur apo po mbahen kundër vullnetit të tyre. Në të vërtetë, i nderojmë ato për kurajën që e tregojnë para brutalitetit dhe kërcënimit.
Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Gruas – dhe për çdo ditë – kemi përgjegjësi që të qëndrojmë të bashkuar dhe të punojmë së bashku në luftën e vazhdueshme për të drejtat e grave dhe vajzave anekënd botës që ato ta jetojnë jetën në plotësi, si dhe të kenë jetë të shëndetshme dhe produktive.
*Titulli është i redaksisë