Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Nga Ali PAJAZITI: Sociologjia publike: ku jemi?

Sociologjia publike është një nëndegë e disiplinës së gjerë sociologjike të popullarizuar nga profesori i California-Berkeley-it, Michael Burawoy, gjegjësisht nga fjalimi që ai ka mbajtur me rastin e zgjedhjes së tij për kryetar të Shoqatës Amerikane të Sociologjisë. Ai ka theksuar rëndësinë e angazhimit të audiencave më të gjera, joakademike, laike (për sociologji). Sipas Rita Simon-it (1987), sociologjia publike nënkupton të shprehurit përmes një gjuhe jo puro-sociologjike (not in “sociologese”), pra, përdorimin e frazave të kuptueshme edhe për njerëzit pa diplomë sociologjike, domethënë, të kapshme edhe për njerëzit e thjeshtë. Kjo lloj sociologjie përfshin në vetvete diskutim ose dialog mes sociologëve dhe publikut, ose “bashkësive” me të cilat ata bashkëpunojnë. “Përmes sociologjisë publike, sociologu dhe publiku punojnë së bashku për të identifikuar, përkufizuar dhe zgjidhur çështjet publike.” (Stout, 2011) Sociologjia publike zbatohet duke shërbyer vullnetarisht nëpër komitete publike, duke shkruar shkrime, ese e kolumna nëpër gazeta, portale, duke marrë pjesë nëpër takime publike, duke u ofruar studentëve mundësi për mësim përmes shërbimit të komunitetit (service-learning), e të ngjashme.

Siç shprehet Herbert J. Gans, sociologjia publike është jashtëzakonisht e rëndësishme, ngaqë demonstron se sociologjia shton numrin e qasjeve dhe të gjetjeve të veçanta. Ajo e rrit peshën e sociologjisë, duke e shtyrë atë t’i analizojë ngjarjet dhe çështjet aktuale; në fakt, e bën sociologjinë më të dukshme. Sociologjia publike është një mënyrë për t’i treguar opinionit të përgjithshëm se çfarë bëjmë. Ajo mund t’i motivojë studentët më të mirë, t’i rrisë fondet kërkimore, të tërheqë mbështetjen publike kur sociologjia sulmohet nga organizatat e shumta ideologjike dhe politike. Sociologjia publike ka potencialin që sociologët publikë t’i fusë në kategorinë e intelektualëve publikë më të dukshëm.

A prodhojnë shqiptarët sociologji publike? Ku qëndrojnë ata? A është arritur që së pari të formohet një sociologji e mirëfilltë, e më pas këta sociologë të bëjnë një kthim nga akademizmi sociologjik te sociologjia e rrokshme për stratumet e ndryshme shoqërore? Ndër tekstet parake të publikuara ndër ne në këtë fushë është ai i redaktuar nga Lekë Sokoli dhe Dorina Topollaj, Sociologji publike 1: Sociologjia dhe jeta e përditshme (IS & Rinia, 2006). Por, marrë në përgjithësi, grupimi i sociologëve shqiptarë shumë pak është i angazhuar shoqërisht; sociologjia shqiptare më tepër ka mbetur si desk sociology, sociologji e zyrave dhe e teorizimeve të thata, e dialogjeve profesorë-profesorë dhe profesor-studentë. Katedrat, departamentet, por edhe specialistët individualë të kësaj lëmie, shumë parcialisht merren me çështje konkrete, janë zë pak i dëgjueshëm për opinionin, nuk janë figura që ia kanë dalë të zbresin nga shkallaret universitare në agorën e masës popullore, për të piketuar dhe më pas për të ofruar alternativa për zgjidhje të problemeve sociale. Ndërsa e vërteta është se, “përpunimi i ideve që lidhen me ripozicionimin e sociologut në tregun e punës, si dhe me rikonceptimin e studimeve sociologjike, për të qenë ato sa më pranë qytetarëve dhe sa më shumë në shërbim të çështjeve publike, përbën sot një prioritet për studiuesit e shoqërisë shqiptare”. (Çeçi, 2014) Nga vendet përreth, nga ato ballkanike, Kroacia ka zgjedhur një kurs të mirë; Universiteti i Zadrës organizon në Bibliotekën e Qytetit leksione publike nën titullin “Javna Sociologija”. Më 14 prill të këtij viti, ky forum ka trajtuar mu këtë temë: “Sociologjia kroate sot: Mes profesionales dhe publikes.” Nga hulumtimi që kemi realizuar, konstatojmë se tek popujt e tjerë sllavë, përfshirë edhe atë maqedonas (јавна социологија), as që ekziston sintagma në fjalë, e lëre më një lëvrim shkencor i kësaj fushe! Në gjuhën turke, vetëm një webfaqe, e asgjë tjetër! Në korniza globale, shumë me peshë është platforma “Public Sociоlogy, Live!”, që nënkupton një kurs universal i cili bashkon sociologë të dalluar nga katër anët e botës në debate rreth mënyrave si të arrihet që puna e tyre të shihet si sociologji publike; ku gjenden të postuara leksione nga personalitete si Burawoy, Castels, Hanafi, Wieviorka, etj. Ndërkohë, nuk mungojnë as kritikat: disa e akuzojnë këtë branshë për marksizëm, disa brengosen në do të pasojë kërkesa për të hequr dorë nga praktika puriste profesionale  (Nielsen 2004). Por, megjithatë, numri i mbështetësve sa vjen e rritet, dhe përkundër sociologjisë së politikave (policy sociology), që synon zgjidhjet, kjo lloj sociologjie fokusohet vetëm te kuvendimi  (Burawoy 2004). Në fakt, sociologjia publike nxit parullën “Just talk” (Vetëm të flasim!), dhe është kundër kolonizimit të dijes e pro hulumtimeve pjesëmarrëse. Socologjia publike është reaksion dhe përgjigje ndaj privatizimit të gjithçkafit. (Burawoy, 2005)  Ajo i shkëput sociologët nga bindja se vetëm ata e kanë të rezervuar teorizimin si funksion i përshtatshëm sui generis për akademikët, e afirmon idenë se publiku, të cilit sociologët i shërbejnë, ka qasje te burimet e pushtetit dhe te kënaqësia e mendimit. E gjitha kjo i ridrejton shkathtësitë tona akademike drejt ndryshimeve shoqërore të shkaktuara nga të tjerët. Ku jemi ne shqiptarët në këtë drejtim? Në Shqipëri, sociologjia ishte “mollë e ndaluar” gjatë regjimit komunist; më pas iu deshën dy dekada e ca për ta rimarrë veten. Dhe ende ajo nuk ka gjeneruar sociologë të shkëputur krejtësisht nga “fryma e kohës së kuqe”; pra, sociologjinë e bën gerontokracia, me disa shpërfaqje të të rinjve të paideologjizuar. Ende, pra, është një sociologji e të privilegjuarve, e mendjeve të zgjedhura të popullit, pa një format më të hapur, më popullor. Në Kosovë, sociologjia në përgjithësi është në një gjendje të padefinuar, madje edhe të një agonie e shtangieje pas doajenëve si Agani, Bobi, Hoti… Të mos flasim për sociologji publike. Në Maqedoni, ku shkenca shqiptare është më e reja për nga mosha, gjendja nuk është hiç më e mirë. Me një katedër të pazëshme akademikisht, dhe me shumë pak figura që sociologjizojnë mirëfilltaz. Pra, për momentin, në trojet shqiptare, sociologjia publike është më tepër një emërtim, sesa një materie konkrete. Në këtë drejtim, Instituti Shqiptar i Sociologjisë duhet të jetë më agil, më veprimor, duhet që të tentojë t’i zbresë profesorët nga kullat e fildishta te këndi i folësve nga populli, duhet të nxisë më fort bashkëpunimin sociologjik brendashqiptar dhe më gjerë, me qëllim që të formësohet një diskurs sociologjik më publik, më frytdhënës për shoqërinë në përgjithësi, në këtë kohë kur s’ka më vend për hermetizma teorikë dhe metodologjikë, kur postmodernja e relativizon gjithçka. Kush e di? Ndoshta shpejtohemi, ndodh të jetë ende herët. Një konstatim: ky shkrim s’është pjesë e ndonjë sociologjie publike! /tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts