Rusia ka kryer teste të gjera të sistemeve të reja lazer për t’u mbrojtur kundër mjeteve ajrore pa pilot, raportoi Reuters.
Një deklaratë e qeverisë ruse e përshkroi teknologjinë e re si “premtuese” dhe shtoi se ajo ishte testuar kundër llojeve të ndryshme të dronëve në kushte të ndryshme moti.
Lazerët anti-dronë thuhet se janë pjesë e një “sistemi universal të mbrojtjes ajrore” që Presidenti rus Vladimir Putin tha se Rusia duhet ta ndërtojë këtë javë.
“Rezultatet e testit do të përdoren për të përmirësuar modelet ekzistuese dhe për të krijuar sisteme të afta për të ofruar mbrojtje të besueshme kundër armëve moderne të sulmit ajror. Kryerja e testeve na lejon të kalojmë në prodhim serial dhe të rrisim vëllimin”, thuhet në deklaratë, sipas Reuters, duke shtuar se videoja e bashkangjitur tregon mbetjet e djegura të një droni të shkatërruar.
Thellë pas vijave të frontit
Të dyja palët në luftën Rusi-Ukrainë kanë vendosur dronë në numër të madh, duke i përdorur ato për të dalluar dhe goditur objektiva jo vetëm në fushën e betejës, por edhe shumë përtej vijave të frontit.
Dronët ukrainas shpesh kanë sulmuar vende thellë brenda Rusisë, siç janë depot e naftës, rafineritë dhe aeroportet, duke nënvizuar nevojën që Moska të forcojë mbrojtjen e saj, shkruan agjencia britanike.
Më parë këtë muaj, dronët ukrainas të futur kontrabandë në kamionë pranë bazave ajrore shkaktuan dëme serioze në flotën e bombarduesve me rreze të gjatë veprimi të Rusisë. /tesheshi.com/