“….në Krujën e Fushë Krujën që përqafohen përditë nën çarçafin e e endur me tymin e guroreve, gëlqeres së djegur me goma makinash apo çimentos së prodhuar duke zhveshur malin….” Edi Rama, Kurban
Fushë–Kruja nuk i përket “hartës së shenjtë” të Shqipërisë. Eshtë një qytezë krejt e rëndomtë e Shqipërisë së mesme, emri i së cilës lidhet me një fabrikë çimentoje që nga epoka komuniste, ku më pas në demokraci evenimenti më kryesor që i ndodhi komunitetit të atyshëm, ishte ngjitja e ekipit të futbollit ‘Iliria’ nga kategoria e tretë në të parën. Më pas, kjo qytezë do merrte një nam të madh, pasi atë e vizitoi Presidenti Bush dora vetë. Se kush donte t`i vinte një njollë sikur gjasme i vodhën orën aty, por kjo nuk u konfirmua kurrë. E tashmë, kjo qytezë po bëhet e famshme për keq, pikërisht se po identifikohet me tritolin. Incidentet, përveçse të shpeshta, kanë cënuar dhe vetë shtetin: tritoli i është vënë Komisariatit të Policisë e Bashkisë gjithashtu. Dhe deri më sot, veç arrestimit të një grupi që posedonte sasi të mëdha tritoli, kundrejt tij nuk është bërë asgjë, derisa vijon të vlojë si ngjarje e si lajm. Qytetarë të saj, jo vetëm që nuk e pranojnë këtë realitet, por as që e pranojnë që qyteza e tyre të jetë kriminalizuar deri në atë pikë, sa të marrë namin e zi të një qyteti tritoli, aq më tepër që për nder e histori, ka një president amerikan si Xhorxh W. Bush. Dhe më shumë se vetë tritoli, banorët po i mundon misteri i madh se pse pikërisht aty?! Dhe qeveria, në mos t`u zgjidh njerëzve të atyshëm misterin, e ka për obligim që t`u heq tritolin qafe! /tesheshi.com/
Nga Ahmet Zani