Ministria e Brendshme e Sirisë deklaroi se më shumë se 8 milionë njerëz kërkoheshin nga shërbimet e inteligjencës dhe sigurisë të regjimit të Bashar al-Assad, i cili u rrëzua dhjetorin e kaluar.
“Numri i personave të kërkuar nga regjimi i mëparshëm për arsye politike tejkalon tetë milionë”, tha zëdhënësi i ministrisë, Noureddine al-Baba. “Rreth një e treta e sirianëve u regjistruan dhe u persekutuan nga shërbimet e inteligjencës dhe sigurisë”, shtoi ai.
Pasi shpërtheu lufta civile në Siri në vitin 2011, pas shtypjes së protestave antiqeveritare, miliona sirianë e gjetën veten të bllokuar në rrjetet e shërbimeve famëkeqe të sigurisë, të persekutuar ose të keqtrajtuar. Ata u akuzuan kryesisht për pjesëmarrje ose inkurajim të protestave, komunikim me qeveritë e huaja ose financim dhe mbështetje të “terrorizmit”.
Assad i quajti kundërshtarët e tij politikë “terroristë”. Qindra mijëra sirianë u burgosën, shumë u torturuan dhe dhjetëra mijëra të tjerë ende mbeten të zhdukur.
Zëdhënësi i ministrisë njoftoi gjithashtu krijimin e shërbimeve të reja, siç është një organ për të ruajtur kufijtë tokësorë dhe detarë që do të jetë përgjegjës për “luftimin e aktiviteteve të paligjshme, kryesisht rrjeteve të trafikimit të drogës dhe qenieve njerëzore“.
Policia turistike do të marrë përsipër sigurinë e zonave turistike, siç është Palmira e lashtë, e cila është një Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. /tesheshi.com/