Presidenti amerikan Donald Trump thotë se i tha Kanadasë se do të duhej të paguante 61 miliardë dollarë për të qenë pjesë e sistemit të tij të propozuar të mbrojtjes nga raketat Golden Dome “nëse ata mbeten një komb i veçantë, por i pabarabartë”.
Në një postim në TruthSocial, Trump pretendon se Kanadaja “dëshiron shumë të jetë pjesë e sistemit tonë fantastik Golden Dome” dhe do të ketë akses falas nëse i bashkohet SHBA-së.
Pjesëmarrja në sistemin e propozuar të mbrojtjes do t’i kushtonte Kanadasë “ZERO DOLLARË nëse ata bëhen kombi ynë i dashur i 51-të”, tha Trump, duke shtuar se “ata po e shqyrtojnë ofertën!”
Njoftimi i Trump erdhi vetëm disa orë pasi parlamenti kanadez priti Mbretin Charles III të Britanisë në një fjalim të rrallë mbretëror në të cilin monarku theksoi sovranitetin e Kanadasë në kohë “të rrezikshme dhe të pasigurta“, dhe mes thirrjeve nga Trump që vendi të bëhet pjesë e SHBA-së.
Pas fjalimit të Mbretit, kryeministri kanadez Mark Carney i tha transmetuesit publik kanadez CBC se shpresonte që Kanadaja të bashkohej me programin ReArm Europe deri më 1 korrik, në një përpjekje për të zvogëluar varësinë e saj nga armët amerikane.
Kanadaja nuk iu përgjigj menjëherë komenteve të fundit të Trump, por Carney më parë konfirmoi se vendi i tij kishte zhvilluar bisedime “të nivelit të lartë” mbi sistemin e mbrojtjes me SHBA-në.
Trump ka pohuar se sistemi Golden Dome do të kushtojë rreth 175 miliardë dollarë në total dhe do të përfundojë deri në fund të mandatit të tij aktual në vitin 2029, megjithëse ekspertët e industrisë së mbrojtjes kanë vënë në dyshim fizibilitetin e atij afati kohor dhe buxheti.
Kupola e Artë është modeluar sipas Kupolës së Hekurt të Izraelit, e cila gjithashtu merr fonde të konsiderueshme nga SHBA-të, duke përfshirë 500
Nuk është e qartë se si Trump do ta zgjeronte Kupolën e Hekurt për të mbuluar të gjithë SHBA-në, duke pasur parasysh se Izraeli është vetëm sa madhësia e New Jersey, një nga shtetet më të vogla të SHBA-së.
Kupola e Hekurt është projektuar gjithashtu për të rrëzuar raketa me rreze të shkurtër veprimi, 1,000 km, ndërsa kërcënimi kryesor për SHBA-në, ndoshta vjen nga raketat balistike me rreze të gjatë veprimi dhe hipersonike.
Reagimet
Ministria e jashtme e Kinës reagoi shpejt, me zëdhënësen Mao Ning që tha plani “rrit rrezikun që hapësira të bëhet një fushë beteje, inkurajon një garë armatimesh dhe minon sigurinë ndërkombëtare”.
“Shtetet e Bashkuara i vënë interesat e veta në radhë të parë dhe janë të fiksuara me kërkimin e sigurisë së tyre absolute, gjë që shkel parimin se siguria e asnjë vendi nuk duhet të jetë në kurriz të të tjerëve”, tha Mao Ning.
Ministria e jashtme e Koresë së Veriut u përgjigj gjithashtu, duke thënë se SHBA-të janë “të vendosura në përpjekjet e tyre për të militarizuar hapësirën”.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha të martën se projekti “Kupola e Artë” minon themelet e “stabilitetit strategjik” sepse përfshin krijimin e një sistemi global të mbrojtjes nga raketat.
Sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS, Zakharova tha se zhvillimi i “Kupola e Artë” do të çonte gjithashtu në zhvillimin e “mjeteve për shkatërrimin e raketave para lëshimit dhe infrastrukturës që siguron përdorimin e tyre”.
“Ky është tashmë një manifestim i mirëfilltë i kursit doktrinar shumë të rrezikshëm të SHBA-së drejt kryerjes së të ashtuquajturave sulme parandaluese, por në thelb të para”, tha ajo, duke paralajmëruar se kjo do ta shndërronte hapësirën në një “mjedis të armatosur” dhe “një arenë konflikti të armatosur”. /tesheshi.com/