Kryeministri Kurti tha së fundi se ka disa të arrestuar lidhur me sulmin e mbrëmshëm në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, ku u dëmtua kanali i ujit të Ibër-Lepencit.
Ai shkoi në vendin e shpërthimit, i shoqëruar me drejtues të Policisë dhe ministri Xhelal Sveçla.
“Jemi këtu që ta shohim vendin e ngjarjes, dëmin e jashtëzakonshëm që na është shkaktuar mbrëmë nga ky sulm terroristë e kriminal, që ka dëmtuar infrastrukturën kritike, meqenëse e ka dëmtuar rëndë edhe prodhimin e energjisë elektrike, edhe furnizimin me ujë”, tha Kurti.
Ai theksoi më tej përpjekjet që po bëhen për të eliminuar dëmin dhe pasojat: “Vetëm duke iu falënderuar punës vetmohuese të këtyre policëve, punëtorëve, inxhinierëve, ekspertëve, kemi arritur që deri diku ta sanojmë dëmin, ndonëse jemi diku tek çereku i prurjeve normale të ujit nëpërmjet kanalit Iber – Lepenc, i cili e bën edhe ftohjen e termocentraleve në Obiliq, edhe furnizimin me ujë të shumë komunave, përfshirë edhe Prishtinës.
Kurti tha gjithashtu se “Policia po i zhvillon hetimet, ka kryer bastisje, ka edhe arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminelë e terroristë do të përballën me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës demokratike e të pavarur të Kosovës”. /tesheshi.com/