Nga İbrahim Kalın
Muslimanët anekënd botës e festojnë Kurban Bajramin (Festën e Flijimit), të njohur gjithashtu si Eidu’l-Adha, në një akt nënshtrimi dhe pastrimi në ndjekje të gjurmëve të profetit Ibrahim. Pelegrinët muslimanët e kryejnë haxhin në Mekë siç ua mësoi Profeti Muhammed katërmbëdhjetë shekuj më parë. Çdo akt adhurimi është një akt kthimi në origjinë, duke bërë prapa, në fillim të gjërave, kështu që ne mund ta perceptojmë si e tëra ka kuptim në këtë kohë. Muslimanët duhet ta shfrytëzojnë këtë rast për të reflektuar mbi gjendjen e tyre intelektuale dhe morale.
Historia e flijimit prej Ibrahimit e të birit dhe, më pas, të qenët i shpërblyer me një qengj sakrifikimi është një sprovë absolute për nënshtrimin e sinqertë ndaj të Vetmit që ne e duam më shumë. Ajo rrëfen se si dashuria pa kushte kërkon sakrificën më të madhe. Ajo sugjeron se edhe profetët janë sprovuar për të arritur sigurinë absolute dhe për të dhënë një shembull për ndjekësit e tyre.
Nënshtrimi i Ibrahimit nuk është një akt verbërie apo fanatizmi. Ndryshe, bazohet në një perceptim të duhur të arsyes dhe vullnetit.
Nënshtrimi ka kuptim vetëm kur personi është i shëndoshë mendërisht, i aftë ta përdorë arsyen e tij dhe t’u imponojë vullnetin e vet egos dhe dëshirave të tij. Historia e Ibrahimit është një shembull se si një rob i përkushtuar i Zotit merr mesazhin hyjnor, e kupton stërmadhësinë e tij, dhe lëviz për ta zbatuar atë, kështu që ai përmbush premtimin e vet ndaj Zotit. Kësaj dashurie të pakushtëzuar për Hyjnoren i përgjigjet mëshira e pakufishme e Zotit. Me dërgimin e qengjit të sakrifikimit, që ka vënë bazën për flijimin e kafshës në traditën abrahamike, Zoti tregon se ajo që ka rëndësi nuk është as mishi, as gjaku, por përsosuria shpirtërore e njeriut përmes vetëflijimit. Kur’ani thotë: “Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin devotshmëria juaj.” (22:37)
Kjo mund të tingëllojë disi arkaike për veshin modern, të mësuar me slogane të tilla si liria, autonomia, zgjedhja personale, shija individuale dhe vetëpërmirësimi. Fasada e ngritjes së individit si qendër e ekzistencës është një iluzion i epokës moderne, ku nevojat, strukturat dhe institucionet e ftohta e bëjnë çdo person të jetë i varur nga një sistem marrëdhëniesh mbi të cilin nuk ka kontroll asnjë prej tyre. Duke lexuar Hegelin, Marksi e pati përkufizuar këtë si “tëhuajtje”, prej nga ne nuk kemi më kontroll mbi atë që kanë prodhuar duart tona. Në rezervojmë një udhëtim me avion, në ulemi në një provim kolegji apo flasim mbi ndryshimin e klimës, ne të tërë përjetojmë një moment të historisë së Frankenshtainit dhe të doktorit të çmendur.
Historia e Ibrahimit sugjeron se ndryshimi në një shoqëri nis me transformimin e brendshëm, e jo me kushtet materiale. Ibrahimi mund të kishte qenë në Kenan apo në Urfa, e jo në Mekë, kur iu kërkua të flijonte të birin. Ai mund të ishte sprovuar me përmbytje apo të ftohtë, e jo me zjarr dhe të nxehtë. Megjithatë, ai u vu në sprovën përfundimtare të dashurisë, sinqeritetit dhe nënshtrimit, për brezat që do të vinin më pas. I biri i Ibrahimit, Ismaili, është po aq pjesë thelbësore e historisë sa vetë ati i monoteizmit. Babai dhe djali e kalojnë sprovën me vendosmëri dhe fisnikëri. Akti i tyre i përbashkët i vetëflijimit ndryshon rrjedhën e historisë dhe tregon se mirësia dhe virtyti mbizotërojnë vetëm kur njerëzit ndryshojnë atë çka është në zemrën e tyre. Kur’ani thotë: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë atë çfarë është në vetvetet e tyre.” (13:11)
Kurbani, emri tjetër i Eidu’l-Adha-së, që gjithashtu do të thotë fli, ka konotacionin e pasur të “ardhjes më pranë dhe të arritjes së afërsisë”. Duke u kthyer te fillimet në tokë të bijve të Ademit dhe Havasë, ai aludon për historinë tragjike të Kabilit dhe Habilit, ku Zoti e pranoi dhënien nga Habili të një deleje teksa nuk e pranoi prodhimin e Kabilit. I inatosur nga një ndjenjë mospranimi dhe xhelozie, Kabili kryen një krim të tmerrshëm dhe vret të vëllanë, duke mos e kaluar kështu sprovën. Ajo çka do ta kishte sjellë atë më pranë Zotit përmes flijimit e largon më tepër nga Ai dhe njerëzia e tij.
Një flijim i sinqertë është ai që na sjell ne më pranë Hyjnores. Na mundëson të kapërcejmë dobësitë tona dhe të zgjatemi te çka është më e madhe se ne dhe që na plotëson e na pasuron. Na përgatit për një jetë me virtyt dhe përkushtim. Na mëson si t’u shërbejmë të tjerëve teksa i shërbejmë Zotit. Na bart përtej mishit dhe gjakut. Por nëse është i njollosur nga lakmia, mendjemadhësia, ligësia, epshi dhe xhelozia, vetëm na largon prej të Mirit dhe të Mëshirshmit pa fund.
Historia që nuk njeh kohë e profetit Ibrahim është po aq me vend sot sa çka qenë gjithmonë. Ndërsa bota muslimane rikryen flijimin e Ibrahimit, ajo ka nevojë të reflektojë mbi varfërimin shpirtëror dhe intelektual në të cilin e gjen veten sot. Botës muslimane i nevojitet një revolucion i mendjes dhe një përtëritje e shpirtit për t’i kapërcyer sfidat dhe fatkeqësitë që ndesh në këtë kohë. Të humbur mes një të kaluare të lavdishme, një të tashmeje të mjerueshme, e një të ardhmeje të pasigurt, të rinjtë muslimanë kërkojnë një ideal të cilit të mund t’i kushtojnë inteligjencën dhe pasionin e tyre. Dijetarët fetarë dhe udhëheqësit intelektualë duhet të shpjegojnë se si muslimanët mund të jenë përçues të së vërtetës, së mirës dhe mëshirës në një botë indiference, materializmi dhe ekstremizmi.
Fajësimi vetëm i të tjerëve nuk i zgjidh problemet tona, por çon në dembeli intelektuale dhe në konformizëm moral.
Tradita intelektuale islame nënvizon përplotësueshmërinë e së “brendshmes” (el-batin) dhe së “jashtmes” (edh-dhahir): çfarë ka jashtë është reflektim i asaj çfarë ka brenda jush. Ne duhet të mendojmë më mirë dhe të punojmë më fort që e mira brenda nesh të dalë dhe të vendosë paqe, drejtësi dhe mëshirë në botë. Kjo festë e “kurbanit”, ky akt fisnik i afërsisë përmes flijimit, duhet të jetë një rast për të penguar të keqen dhe për të përhapur të mirën.
Përktheu: Bujar M. Hoxha
Artikulli ka disa shkurtime, të detyrueshme në aspekt të kontekstit, ngaqë koha e shkruajtjes dhe e publikimit të tij (dhe në shqip) është e hershme, kur autori ishte një kolumnist për “Daily Sabah” dhe mbante postin e zëdhënësit të Presidencës së Republikës së Turqisë.