Nga Arseola Mulia
Erzen Breçani ka qenë ndër emrat më të përfolur nga politika, në rradhët e Policisë së Shtetit. Me ardhjen e të majtës në pushtet, ai u transferua diku në verilindje, por më pas u largua përfundimisht nga rradhët e uniformave blu. Një vendim gjykate e kthen atë në detyrë, dhe ai është në pritje të zbatimit të këtij vendimi, që do të thotë se pret të rithirret “nën armë”. Ai thotë me bindje se pavarsisht se kush qeveris, ai do i shërbejë vetëm vendi, sepse këtë e ka bërë gjithnjë. Në këtë intervistë, ai shpjegon dhe arsyet se përse krimi nuk po bëhet dot zap…
Ishte fillimisht gazetari Artan Hoxha që kundërshtoi atë lloj skeme, por le ta themi më troç, largimin tuaj nga rradhët e Policisë së Shtetit. Tashmë, ligji është në anën tuaj dhe ju mund të ktheheni në detyrë? Pse nuk po ndodh kjo?
Unë jam i gatshëm të kthehem në detyrë për t`i shërbyer komunitetit, si një profesionist që ka punuar për 21 vite me rradhë në këtë profesion. Është profesioni im primar dhe unë ruaj një dashuri dhe pasion të veçantë për të. Eshtë pasioni i parë, dhe pas tij është ai i pedagogut, ku unë aktualisht ushtroj detyrën në Universitetin e Sporteve në Tiranë. Pse nuk kthehem në Policinë e Shtetit? Besoj që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, me të cilin kam dhe njohje profesionale dhe kemi punuar bashkë dhe në detyra të rëndësishme të rrezikshmërisë së lartë, këtë herë do të zbatojë vendimin e Gjykatës, dhe është moment të tregojë veten si profesionist dhe me paanshmëri të bëjë të mundur kthimin tim në rradhët e Policisë së Shtetit. Ka rreth dy muaj që nuk kam asnjë kontakt nga drejtues të përgjithshëm të Policisë. Besoj që do të zbatohet vendimi i Gjykatës dhe nuk do të ndodhë e kundërta.
Pra, kjo gadishmëri e juaja për t`u kthyer në detyrë, tregon se paçka preferencave politike, keni premisën pozitive për t`i shërbyer me përkushtim vendit tuaj, pavarsisht se kush e qeveris, apo jo?
Jam i gatshëm të kthehem me përkushtim dhe profesionalizëm. Jam një oficer policie me arsimin përkatës, i tajnuar, dhe shteti ka shpenzuar për trajnimin tim. Jam i gatshëm të punoj me çdo qeveri, sepse unë nuk i shërbej qeverisë, por popullit.
Ju vetë, a mendoni se politika, ose politizimi i rradhëve të policisë, e ka dëmtuar rëndë Policinë e Shtetit ndër vite?
Preferencat politike janë personale. Unë kam punuar si në kohën kur kanë qeverisur të majtët e si kur kanë qeverisur të djathtët. Fjala vjen, gradat i kam marrë në kohën kur në qeveri ishin të majtët. Pasi qeveria e djathtë më kishte hequr gradën që mbaja, unë konkurrova dhe e fitova atë gradë, në kohën kur drejtonin të majtët. Kjo nuk ka lidhje me politikën. Unë jam profesionist. Sa i përket pyetjes, se politizimi i Policisë e dëmton atë, unë nuk mendoj por jam i bindur se po. Eshtë e vërtetë, shohim që në rradhët e Policisë, me t`u ndërruar qeveritë ikin dhe profesionistët me rezultate të shkëlqyera. Nga rradhët e Policisë duhet të ikin vetëm ata që nuk kanë rezultat dhe performancë në kryerjen e detyrës. Largimet e pabazuara në ligj e dëmtojnë Policinë. Largimet e pamotivuara i kthejnë larguarit në armiq të Policisë së Shtetit edhe pse ata kanë shërbyer për një qëllim të vetëm, në ruajtjen e sigurisë publike. Sot po shohim dhe kam informacione se si transferohen punonjës policie vetëm bazuar mbi bindjet e tyre politike. Ose ka raste të tjera që kur ndodh një ngjarje kriminale e rëndë e cila i intereson pushtetit që të zbardhet për të dalë mirë para publikut, detyrojnë drejtuesit e Policisë që të dalin dhe të japin informacione mbi ngjarjen, por këta informacione e dëmtojnë rëndë hetimin. Ka shumë raste ku në këtë mënyrë, vetë Ministira e linjës ka dëmtuar rëndë proçesin e hetimit duke dhënë informacione të pabaza, dhe më pas kanë larguar për bindje politike punonjës nga rradhët e policisë. Ditët e fundit janë larguar nga rradhët e Policisë, policë rendi, patrulla të përgjithshme, agjentë të Policisë Kriminale, nga një rreth në një tjetër, duke ditur që një polici i duhen rreth 6 muaj kohë për të marrë zonën nën kontroll, për t`u njohur me dosjet, me problematikat, kontigjentin. Ndërkohë që këta 6 muaj, krimit i jepet kohë dhe elementët kriminal janë janë të lirë. Në fshesën e parë, Tahiri largoi nga rradhët e Policisë 900 punonjës policie. Aty krimi filloi të lulëzojë. Fill pas këtye largimeve, vepra të rënda kriminale u shfaqën në Shqipëri, eksploziv, grabitje etj. Kjo, sepse krimi pati kohë për të vepruar. Pë mendimin tim, kjo lëvizje dëmtoi rëndë imazhin e Policisë.
Në rradhët e Policisë, ka mungesë profesionalizmi, apo dhe aty korruptimi ka bërë që aftësitë profesionale të mos kenë më efekt në rezultate?
Mungesa e profesionalizmit ndjehet kur në rradhët e Policisë largohen 1500 punonjës përnjëherë dhe transferohen mbi 2000 të tjerë. Punonjës të transferuar kanë patur informacione, kanë qënë të lidhur me informatorë, duke qenë shumë produktiv. Sipas proçesit standart, punonjësit e transferuar duhet të pyeten nëse pranojnë të jenë informatorë me ata që i zëvendësojnë, por shumica e tyre nuk e pranojnë këtë. Ky është burimi kryesor për parandalimin e ngjarjeve kriminale, nëse i referohemi sasisë më të madhe të eksplozivit (mina me telekomandë), të kapur ndonjëherë nga policia, që u finalizua pas burimeve të informacionit, nga agjentët, punonjës të rendit në Komisariatin nr 2 në Tiranë. Unë, edhe pse i larguar, isha në dijeni të informacioneve. Pas finalizimit, këta agjentë që dhanë informacione dhe që bënë të mundur kapjen e eksplozivit, u transferuan me detyrë jashtë Tirane. Në vend të motivimit dhe falenderimit, gjetën largimin e tyre duke iu thënë: “Ju keni qenë të atij”, pa guxuar të përmendin edhe emrin tim. Kur ma thanë këtë punonjës policie, u habita dhe u ndjeva sikur isha kundërshtar i tyre. Më pas, dy nga agjentët e transferuar duke, u ndjerë të pasigurt kërkuan azil, dhe sot janë së bashku me familjet e tyre azilantë në Gjermani.
Duke e ndjekur situatën në distancë, ç`po ndodh me Rendin, ku po çalon nëse çalon diku?
Rendi po çalon nga mosbesimi, nga braktisja, nga mosmbajtja e premtimeve nga qeveria në pushtet, duke filluar që nga premtimi për rritjen e pagave. U duk sikur pagat u rritën, por u hoqën orët e natës dhe orët suplementare. A mund të ketë rendi ngritje sot nga punonjës policie që shkojnë në punë pa dëshirë dhe të pamotivuar për kryerjen e detyrës?! Punonjësit e rendit kanë frikë se do t`i largojnë nga detyra, sot apo nesër, pa u vlerësuar rezultatet punës së tyre. Në një kurs ku kam marrë pjesë në SHBA dhe në projektin Suedez, ku kam qenë bashkëkryesues për Shqipërinë, pra në projekti “Policimi në komunitet”, ndër të tjera thuhej që filozofia e policimit në komunitet është bashkëpunimi, dhe marrëdhëniet polici-komunitet, polici-media, polici-OJQ. Kjo do të thotë që punonjësi i Policisë duhet të këtë kushte të mira pune, dhe kjo nuk lidhet vetëm me akomodimin e tij, por duke qenë se ai punon 24 orë në 24 në një punë ku shërbehet me përkushtim, duhet që punonjësi i Policisë të jetë dhe të ndihet i motivuar, të punojë me dëshirë dhe pasion, e jo me frikën se drejtuesi i tij do të kërkojë më tepër se çfarë jep, duke mos gjetur bashkëpunim. Puna në grup është thelbi i punës në Polici. Kjo nuk është një punë individuale por punë në grup, e realizuar me mirëkuptim, besueshmëri dhe bashkëpunim të ndërsjelltë epror-vartës. Kjo duhet të jetë filozofia brenda rradhëve të Policisë. Kjo nuk po ndodh absolutisht sot. Policë që kanë kryer shërbime spektakolare, largohen nga puna, ulen në gradë, dhe transferohen.
Dhe në fund, e bëni dot që për hir të vendit ku jetoni, duke lënë mënjanë ndonjë inat, t`u jepni ca direktiva njerëzve në krye të Rendit, se ç`duhet të bëjnë për ta bërë zap krimin?
Mos u ndikoni politikisht, riktheni urgjent punonjësit e larguar dhe profesionistët, që të gjithë së bashku të punojnë kundër krimit të organizuar dhe kriminalitetit. Për mendimin tim, në drejtim dhe në Policinë e shtetit, duhet të jenë absolutisht të djathtë, të majtë, të qendrës, të gjithë ata që kanë shkollimin dhe arsimin e duhur. Ky është profesioni i tyre, që u thotë të punojnë pa dallim dhe bindje partiake, e vetëm atëherë krimi do të bëhet zap. Unë kam punuar për një kohë të shkurtër në drejtim, dhe nuk kam parë të dalë askush të të thotë që “Erzen Breçani nuk më ka motivuar apo më ka larguar për bindje politike”. Theksoj se gjatë kohës që kam qenë në detyrë janë kryer 60 operacione, ku janë kapur dhe dokumentuar grupe kriminale dhe kanë shkuar para drejtësisë. Nëse nuk do të ishte bërë ndalimi i tyre, ata do të ishin kthyer në grupe të strukturuara kriminale.
Nesër do mund të lexoni dhe pjesën e dytë të intervistës me ish-kuadrin e lartë të Policisë së Shtetit, Erzen Breçani…