Për herë të parë, një zë nga PS ka dalë kundër shfaqjeve përtallëse të një deputeteje të re të Qarkut Fier, Zeqine Çaushi e Roskovecit, e cila që në fushatë aplikoi shpotitjet në rrjete sociale ndaj Gazmend Bardhit, duke u shndërruar në një personazh me shumë viralitet.
Por për deputetin e njohur socialist po të Qarkut Fier, një emër i traditës politike të PS-së që nga vitet ’90, kjo nuk duhet të vazhdojë më.
“Ajo ka bërë një gjë që është e ekzagjeruar dhe është një shpërdorim personaliteti në një përmasë që mendoj se nuk duhet të përsëritet më. Nuk është ky imazhi i PS-së. PS-ja është një parti serioze,” tha Koçi në A2 CNN.
Aty ai foli dhe për atë që e quajti sakrificën më të madhe politike, e cila do i kostonte dhe karrierën: mosvotimin e ndryshimeve kushtetuese në 2008, të cilën e cilësoi si një “martesë politike mes Berishës dhe Ramës”.
“Ajo ka qenë sakrifica më e madhe sepse unë i vura shkelmin karrierës sime për një gjë që e mendoja shumë parimore dhe për këtë jam krenar. Nuk votova atë kushtetutë. Tjetër gjë që ajo është në fuqi. Unë kam nxjerrë atëherë togfjalëshin: ‘Kthehet Republika në Kryeministrore’.
Unë nuk votova. Unë votova kundër. Dhe sipas statutit duhet të isha përjashtuar. Ajo ishte sakrifica më e madhe që kam bërë në PS,” përfundoi ai. /tesheshi.com/