Miliarderi Elon Musk, i cili për herë të parë disa ditë më parë kritikoi aleatin e tij, Presidentin e SHBA-së Donald Trump, konfirmoi dje, të mërkurën, se ka përfunduar misionin e tij për të ulur shpenzimet federale pas katër muajsh eksperimentimi.
“Ndërsa mandati im i planifikuar si punonjës i posaçëm qeveritar po mbaron, do të doja të falënderoja Presidentin Trump që më dha mundësinë të zvogëloj shpenzimet e panevojshme”, shkroi Musk në një postim në Facebook dje.
“Misioni ‘DOGE’ do të forcohet më tej në të ardhmen për t’u bërë një mënyrë jetese në qeveri”, shtoi shefi i Tesla-s dhe SpaceX.
Megjithatë, në një intervistë me CBS, një fragment i së cilës u transmetua të martën në mbrëmje, Musk mori një ton të ndryshëm, më agresiv.
“Isha i zhgënjyer kur pashë këtë projektligj masiv shpenzimesh që, sinqerisht, do të rrisë deficitin buxhetor, jo do ta ulë atë, dhe që minon punën që po bën ekipi i DOGE-së”, tha ai, duke iu referuar projektligjit të buxhetit të Trump-it.
Për më tepër, Musk u ankua në një intervistë për Washington Post se DOGE “ishte bërë kurbani për gjithçka”.
“Projektligji i madh dhe i bukur i buxhetit”, siç e quan presidenti amerikan, aktualisht po shqyrtohet nga Kongresi. Ai synon të zbatojë disa nga premtimet e fushatës së republikanëve, siç janë “rimbursimet kolosale të taksave të Trump-it” që ai miratoi gjatë mandatit të tij të parë, por që do të skadojnë në fund të vitit.
Sipas një analize nga Zyra e Pavarur e Buxhetit të Kongresit, ky projektligj do të rrisë deficitin federal, i cili tashmë është në 36.2 trilionë dollarë, me 3.8 trilionë dollarë gjatë dekadës së ardhshme.
“Unë besoj se një ligj mund të jetë i madh ose mund të jetë i bukur. Por nuk e di nëse mund të jenë të dyja”, tha Musk në intervistën për CBS News, e cila do të transmetohet e plotë të dielën.
Elon Musk in new CBS interview: I think a bill can be big or beautiful, but I don't know if it can be both.
“I was, like, disappointed to see the massive spending bill, frankly, which increases the budget deficit, not just decreases it and undermines the work that the DOGE team… pic.twitter.com/XHS9InZJU7
— ELON CLIPS (@ElonClipsX) May 28, 2025
Komentet e miliarderit shënojnë ndarjen e tij të parë publike me Trump, aleancën që ai formoi gjatë fushatës presidenciale. Musk ka dhuruar shumë për të mbështetur ambiciet presidenciale të republikanit dhe marrëdhënia e tyre u bë më e ngushtë në fillim të mandatit të tij të dytë si president.
Musk dhe Trump kanë qenë të pandashëm për javë të tëra që nga inaugurimi i 20 janarit. Miliarderi u shfaq kudo: në krah të Trump në Zyrën Ovale, në aeroplanin presidencial, në mbledhjet e kabinetit, në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë gjatë një promovimi të paparë reklamues për makinat Tesla…
Figura e gjatë e Musk, gjithmonë e veshur me të zeza me një kapelë në kokë, ishte e kudondodhur, ndërsa Trump bënte një njoftim pas tjetrit: ndërprerjen e ndihmës ndërkombëtare të ofruar nga SHBA-të, mbylljen e agjencive federale, shkarkimin e punonjësve federalë.
Megjithatë, nuk kaloi shumë kohë para se artikujt të shfaqeshin në median amerikane që i referoheshin reagimeve të ministrave të Trump ndaj metodave dhe vendimeve të Musk.
Misioni i tij ishte njoftuar që në fillim se do të ishte i kufizuar në kohë dhe statusi i tij si një zyrtar i posaçëm qeveritar zgjati 130 ditë.
Në fund të prillit, Musk njoftoi se po tërhiqej për t’u përqendruar më shumë në bizneset e tij, veçanërisht në Tesla, shitjet e së cilës po binin ndërsa pronari i saj u bë një nga figurat më përçarëse në botë.
Të shtunën, pas një krize të shkurtër në X, të cilën ai e zotëron gjithashtu, Musk shkroi: “Duke u kthyer në punë 24/7 dhe duke fjetur në dhoma konferencash/servera/fabrika.”
Përfshirja e tij në çështjet federale ka ngritur pyetje në lidhje me konflikte të mundshme interesi për shkak të shumë kontratave që kompanitë e tij kanë nënshkruar me qeverinë. /tesheshi.com/