Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un i tha ministrit rus të mbrojtjes se përdorimi i raketave perëndimore me rreze të gjatë veprimi nga ana e Ukrainës është rezultat i ndërhyrjes direkte ushtarake nga Shtetet e Bashkuara dhe se Moska ka të drejtën e vetëmbrojtjes, raportuan mediat shtetërore.
Të premten, Kim u takua me ministrin Andrei Belousov dhe më pas deklaroi se Kievi “sulmoi territorin rus me armët e tyre me rreze të gjatë” për shkak të SHBA-ve dhe vendeve perëndimore dhe se Rusia duhet të bëjë diçka në mënyrë që “forcat armike të paguajnë çmimin”, raporton agjencia e diktaturës komuniste KCNA.
Kim njoftoi thellimin e marrëdhënieve me Rusinë në të gjitha fushat, përfshirë edhe atë ushtarak, si pjesë e partneritetit strategjik që nënshkroi me presidentin rus Vladimir Putin në qershor. Pjesë e asaj marrëveshjeje është edhe një marrëveshje për mbrojtjen e ndërsjellë, shkruan KCNA.
Agjencia e lajmeve nuk përmendi nëse Kim dhe Belousov diskutuan për trupat e Koresë së Veriut që luftojnë ukrainasit në anën e Rusisë. Sipas pretendimeve të Pentagonit dhe Ukrainës, rreth 11,000 ushtarë të Koresë së Veriut po luftojnë për Rusinë. /tesheshi.com/