Ndër urimet më picante për Kurban Bajram ka qenë ai i numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku, një figurë e pushtetshme gruaje e mazhorancës qeverisëse, e cila i ka kërkuar Zotit udhëzim – “udhëzim për punë të mira”.
E ka bërë këtë duke promovuar rikonstruksionin e një xhamie të vjetër në Dibër, në zonën ku ishte drejtuese politike për disa vite.
“Sot u fal Kurban Bajrami në xhaminë e rikonstruktuar, në xhaminë Allajbegi, e cila është ndërtuar para 500 vitesh nga Sheh Murat Bejku, në Maqellarë të Dibrës.
Xhamia është monument kulture i kategorisë së parë – shpallur në vitin 1974.
Ishte lënë në harresë dhe ishte dëmtuar. Në vitin 2024 filloi rikonstruksioni me fonde të qeverisë shqiptare i kësaj perle të islamit dhe sot u hapën dyert për besimtarët myslimanë.
Zoti na udhëzoftë gjithmonë për punë të mira!”, shkruan Balluku.
Veçon pra fraza e fundit, e cila vjen nga fjalori klasik islam, pjesë qenësore e lutjes së një besimtari, i cili kërkon nga Zoti t’ja drejtojë zemrën drejt aspekteve shpirtërore, por dhe praktike, të cilat janë të pëlqyeshme prej tij si Krijues e Sundues. /tesheshi.com/