Bashkimi Evropian të mërkurën zbuloi një strategji të re që synon forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Detit të Zi.
“Strategjia synon të rrisë lidhshmërinë dhe zhvillimin, duke lidhur Evropën me Kaukazin e Jugut, Azinë Qendrore dhe më gjerë”, thuhet në deklaratën zyrtare.
BE planifikon të thellojë bashkëpunimin me Ukrainën, Moldavinë, Gjeorgjinë, Turqinë, Armeninë dhe Azerbajxhanin dhe të përparojë projektet rajonale që synojnë lidhshmërinë e infrastrukturës.
Duke folur në një konferencë javore për median, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, foli gjithashtu për iniciativën për një qendër sigurie detare në Detin e Zi.
“Kjo qendër do të shërbejë si një sistem paralajmërimi i hershëm evropian në Detin e Zi. Do të rrisë ndërgjegjësimin dhe do të ndihmojë në mbrojtjen e infrastrukturës kyçe, siç janë instalimet në det të hapur dhe kabllot nënujore”, tha Kallas, sipas Agjencisë Anadolu.
Ajo shtoi se qendra mund të kontribuojë gjithashtu në monitorimin e përpjekjeve për paqe midis Rusisë dhe Ukrainës, dhe theksoi se BE do të përshpejtojë operacionet e pastrimit të minave në rajon.
“Përmirësimi i lëvizshmërisë ushtarake”
Kallas theksoi rëndësinë e përmirësimit të lëvizshmërisë ushtarake duke modernizuar portet, hekurudhat dhe rrugët për transportimin e pajisjeve të rënda ushtarake.
“Dorëzimi më i shpejtë i pajisjeve në rajon forcon parandalimin dhe mbështet NATO-n. Përveç përmirësimeve të infrastrukturës, ne gjithashtu duam kontroll më të mirë mbi pronësinë e huaj të porteve dhe objekteve kyçe”, tha ajo.
Ajo përsëriti rëndësinë strategjike të Detit të Zi, duke theksuar rolin e tij kyç në lidhjen e Azisë Qendrore dhe Evropës, si dhe rëndësinë e tij për sigurinë, tregtinë dhe energjinë.
“Ndryshimet gjeopolitike janë të dukshme. Ukraina dhe Moldavia po lëvizin drejt anëtarësimit në BE, ashtu si edhe Gjeorgjia, nëse ajo kthehet në rrugën evropiane. Turqia është një partner kyç dhe vend kandidat. Por potenciali i rajonit kërcënohet nga lufta e zhvilluar nga Rusia. Shkeljet e shpeshta të hapësirës ajrore dhe sulmet ndaj porteve dhe korridoreve detare e konfirmojnë këtë”, shtoi ajo.
Kallas theksoi gjithashtu se BE dëshiron të forcojë bashkëpunimin në luftën kundër sulmeve kibernetike, dezinformimit dhe aktiviteteve të tjera armiqësore, duke e quajtur rajonin e Detit të Zi një objektiv kryesor të kërcënimeve hibride. /tesheshi.com/