Shkencëtarët japonezë kanë zhvilluar plastikë që zbërthehet në ujin e detit brenda orësh, e cila mund të jetë një zgjidhje për ndotjen e detrave dhe oqeaneve që kërcënojnë jetën e egër detare, raporton Reuters.
Ekspertët kanë eksperimentuar prej kohësh me plastika të biodegradueshme, dhe tani shkencëtarët nga qendra RIKEN dhe Universiteti i Tokios kanë zhvilluar një material të ri që shpërbëhet shumë më shpejt dhe nuk lë gjurmë.
Në një laborator në qytetin Waku pranë Tokios, ekipi demonstroi se si një copë plastike zhduket në një masë me ujë të kripur ku qëndroi për rreth një orë.
Pjesëmarrësit nuk përcaktuan një plan të detajuar komercializimi, por udhëheqësi i ekipit Takuzo Aida thotë se hulumtimi ka tërhequr interes të konsiderueshëm, përfshirë edhe nga kompanitë e paketimit.
Ndotja plastike pritet të trefishohet deri në vitin 2040
Shkencëtarët në të gjithë botën po garojnë për të zhvilluar zgjidhje inovative për problemin masiv të ndotjes plastike, i cili është theksuar nga fushata të tilla si Dita Botërore e Mjedisit më 5 qershor.
Ndotja plastike pritet të trefishohet deri në vitin 2040, parashikon Programi i OKB-së për Mjedisin, që do të thotë se 23 deri në 37 milionë ton metrikë shtesë plastike do të përfundojnë në oqeanet e botës çdo vit.
“Fëmijët nuk kanë të drejtë të zgjedhin planetin në të cilin jetojnë. Është detyra jonë si shkencëtarë të sigurohemi që t’u lëmë atyre mjedisin më të mirë të mundshëm si trashëgimi”, tha Aida. /tesheshi.com/