Zyrtare: Kosova shtyn kandidimin në Interpol

Kryeministri Ramush Haradinaj ka njoftuar zyrtarisht se ka vendosur të shtyjë kandidimin e Kosovës për pranim në Interpol për në samitin e ardhshëm.

Sivjet ishte pritur që Kosova të kandidonte për pranim në Interpol, por Haradinaj ka bërë të ditur se Kosova nuk ka siguruar votat e mjaftueshme për pranim.

Ky njoftim vjen një ditë pasi ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, deklaroi se probleme i ka nxjerrë edhe nikoqiri i samitit të radhës, Kina, që nuk po lëshonte vizat për zyrtarët kosovarë.

 

Ky është njoftimi i plotë i kryeministrisë:

Anëtarësimi i Kosovës në Interpol është kontribut direkt në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe terrorizmit.

Republika e Kosovës është e gatshme që të marrë përgjegjësitë e plota si anëtare e Interpolit.

Besimin në Kosovën si anëtare e Interpolit e kanë shprehur tashmë shumë vende, por jo në numër të mjaftueshëm që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë.

Si kryeministër i Kosovës, sot kam marrë vendim për të shtyrë votimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Interpol për takimin e ardhshëm të kësaj organizate.

I falënderoj të gjithë të involvuarit nga institucionet e Kosovës, por njëkohësisht i falënderoj edhe të gjithë partnerët ndërkombëtar dhe i ftoj të gjithë që në takimin e radhës të punojmë që Kosova të votohet anëtare e Interpolit. /tesheshi.com/