Zvicra siguron një biletë për në Botëror me një gol në dy ndeshje

Përfaqësuesja zviceriane do të jetë vitin e ardhshëm në Kupën e Botës në Rusi falë një 11-metërshi të dyshimtë të enjten e lënë pas, në ndeshjen e parë ndaj Irlandës së Veriut.

Ndeshja e dytë ndaj irlandezoveriorëve është mbyllur pa gola në Bazel, duke i kualifikuar zvicerianët pas fitores 0-1 të katër ditëve të shkuara.

Me Xhemailin, Shaqirin dhe Granit Xhakën në fushë nga futbollistët me origjinë shqiptare, e me Mehmedin që po ashtu do të hynte në lojë në pjesën e dytë, Zvicra do të kishte raste për të shënuar, siç do të kishte dhe Irlanda e Veriut.

Seferoviç shpërdori një sërë mundësish, aq sa për të do të kishte dhe fërshëllima nga tifozeria e shumtë, në shenjë pakënaqësie.

Në një fushë të baltosur nga fundi i lojës, irlandezoveriorët do të kishin në çastet e fundit dhe një rast të pastër, ku për vendasit shpëtimtari do të bëhej Rodriguez, shënuesi i golit në Belfast.

Zvicra bëhet në këtë mënyrë ekipi i parë nëplay-off-in europian që garanton vajtjen në Botëror. /tesheshi.com/