Zjarret: ja kush po na përcëllon përveç çobenjve…

Nga Alba Skëndaj  

Zaimi është ndër ata, siç thuhet, që i kanë rënë leshrat e kokës duke u marrë një jetë me pyjet.

Është nga ajo racë në zhdukje që tek profesioni i zgjedhur, nuk kanë parë vetëm një mënyrë për t’u ushqyer por dhe një pasion, një mision më saktë, për t’i shërbyer shoqërisë.

Dhe ai sot sheh dëshpërueshëm tej në horizont se si del tym nga pyjet, si shkrumbohen ato dhe se si e keqja ende nuk është dorëzuar përballë forcës së ligjit, por vepron, vepron, vepron duke e sfiduar atë.

Ai nuk nguron që gishtin e përgjegjësisë për gjithë ç’po ndodh këto javë më shkrumbimin e qindra hektarë pyje, ta vërë, si dhe për shumë marrëzira të tjera, tek drejtësia e kalbur shqiptare. Sipas tij, është kjo drejtësi e korruptuar që nuk vepron ashpërsisht ndaj një krimi mjedisor siç është vënia e zjarrit në pyje.

Sipas tij, nuk ka asnjë dyshim që zjarret janë të qëllimshme. Ai thotë se ato mund të jenë aksidentale vetëm 1 në 100 raste, prej një bishti cigareje, një shkëndije elektrike apo një rrufeje; në raste të tjera është vetëm njeriu, pjesa djallëzore e tij, që i vë flakën pyllit.

Po, janë ata çobenjtë. Ne i konsiderojmë si qenie të rëndomta shoqërore, por që paskan shumë në dorë, të na e bëjnë vendin tym e flakë.

Vërtet që kullotat shkencërisht kanë nevojë për djegie, është qëndrimi profesional i Zaimit, porse sipas tij ato duhet të bëhen të kontrolluara në bazë të një VKM-je të nxjerrë nga qeveria, ku gjithçka të ndodhë në prani të përfaqsuesve të  Shërbimit Pyjor dhe Emergjencave Civile. “Dhe kjo është një përvojë e njohur botërore”, thotë ai.

Por ja që për kushtet shqiptare, ku shteti nga nocion konkret ka kaluar në abstrakt, kjo ditë ende duket e largët.

Ai i referohet dhe faktit se Rama bëri një avancim në aspektin ligjor duke e kaluar përgjegjësinë e djegies së pyjeve, nga “shkelje administrative” në “vepër penale”, por që rezultatet në terren të kësaj lëvizjeje duke e mprehur akoma dhe më shpatën e ndëshkimit ligjor, nuk ka dhënë ende efektin e pritshëm. Dhe e gjitha kjo, për shkak të një drejtësie po aq zjarrëvënëse për vendin. Ndaj dhe nuk përbën naivitet për Zaimin, mendimi që edhe për ruajtjen e pyjeve, mjedisit, natyrës, duhet pritur Reforma bujëmadhe në Drejtësi.

Një aspekt tjetër i vënë re gjithë këto vite mbi zjarrëvëniet në pyje, e që tregon se burimin e ka te shteti i dobët, te ligji që nuk vepron, është se të gjitha situatat e rënda përkojnë me vitet e ndërrimit të pushteteve, së paku që nga 2009-ta e këtej. /tesheshi.com/