Zjarret, dëmet e pallogaritshme: 1200 ha të shkrumbuar, rreth 1 milionë euro kostot e operacioneve

Mbi 1200 hektarë është sipërfaqja e djegur nga zjarret që prej dy muajsh kanë përfshirë Shqipërinë. Referuar informacioneve nga emergjencat civile, flakët kanë shkrumbuar 724 hektarë pyje, 182 ha në zona të mbrojtura dhe 273 të tjerë kullota.

Dëmi i deritanishëm, sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Mjedisit është mbi 66 milionë lekë të reja, ose 500 mijë euro.

Po kaq kushtojnë pothuajse operacionet për shuarjen e zjarreve, pjesa më e madhe e tyre shkon për ndërhyrjet nga ajri, raporton tv klan.

Helikopterët e angazhuar në operacione kanë kryer dhjetra fluturime dhe për çdo të tillë kompanisë private që i disponon, i paguahet nga 150 mijë deri në 337 mijë lekë të reja.

Drejtuesit e Emergjencave flasin për afro 200 orë fluturime dhe përllogarisin rreth 500 mijë euro të tjera. Fondi i disbursuar deri tani për helikopterët është 230 mijë euro.

Në kostot paraprake nuk janë llogaritur shpenzimet për forcat zjarrfikëse apo ato të ushtrisë, që sipas Ministrisë së Mbrojtjes arrijnë në rreth 300 milionë. /tesheshi.com/