Zidane kundër të gjithëve: nuk kam nevojë për përforcime në skuadër

Që Zinedin Zidane është një njeri kokfortë, këtë nuk e di vetëm Materazi. Francezi si kur luante vetë, ashtu edhe kur filloi të drejtojë si trajner Realin e Madridit, shpesh preferon të bëjë “me kokën e tij”.

E pikërisht në një moment kur karriera e tij tek madrilenët mbahet për “një fije”, Zizu ka kapur mikrofonin në konferencën e fundit për shtyp, e ka theksuar se nuk ka nevojë për përforcime në skuadër.

“Nuk kam nevojë për asnjë. Kam një skuadër e lojtarë tek të cilët unë besoj shumë. Në çdo sezon ka momente të vështira, por kemi gjithçka për të vazhduar përpara me sukses. Të shohim çfarë do të ndodhë në fund të sezonit, nëse do të jetë, ose jo e nevojshme të ndryshojmë diçka” – është shprehur Zidane.

Në këtë mënyrë, francezi thuajse “ka përjashtuar” mundësitë që Los Blancos të marrin menjëherë një sulmues me peshë, për shkak të golave të paktë që po shënon Ronaldo, e kontributit edhe më të paktë të Benzema.

Nga ana tjetër, mediat spanjolle flasin çdo ditë e më shumë për emrat e Icardit apo Kane. Pikërisht për argjentinasin, në Spanjë u përfol që do të kalojë që në janar tek Reali, lajm që u përgënjeshtrua më pas nga klubi i Interit dhe stafi i sulmuesit. Por edhe tifozët e Realit nuk janë të kënaqur me ecurinë e ekipit, që ndodhet në vendin e katërt të klasifikimit, 16 pikë larg Barcelonës. /tesheshi.com/

Related posts