Zheji me Ramën përballë: si nuk duhet të jetë një gazetar-moderator

Mbrëmë, Edi Rama ishte në studion e atij me të cilin dikur ishin miq të ngushtë, Artur Zheji. Ish në një kohë drejtor ATSH-je dhe më pas drejtor RTSH-je, Zheji nuk se la ndonjë gjurmë të dukshme profesionalizmi në drejtimin e këtyre dy institucioneve, por nuk mund të thuhet që si individ nuk ka rrezatuar formim.

I biri i Petro Zhejit, është mëse e natyrshme që tek ai kjo e dhënë gjenetike dhe gjenealogjike, të mos ketë lënë gurmë. I lidhur porsi i ati me “fjalën”, jo në planin akademik por në atë publicistik, Zheji ka mundur të krijojë një profil publik nëpërmjet “fjalës”. Ai ka marrë cilësimin “analist” në panelet televizive, por së fundi, ngjashëm dhe me të tjerë si ai, ka hapur një portal si dhe bën moderatorin e një debati televiziv.

Të enjten mbrëma, në 360-gradëshin e tij, e detyroi Ramën që t’i thoshte se “unë nuk jam ‘ti’”, një vërejtje etike në lidhje me mënyrën aspak etike se si i drejtohej kryeministrit, i shtrënguar më pas që të përdorë “ju”-në.

Por e gjitha kjo, nuk pati kurrfarë efekti në një lloj shpengimi mbi të gjitha aspak profesional, në mënyrën se si iu qas pyetjeve ndaj Ramës, duke qenë vetë përgjatë gjithë emisionit, kakofoni e bezdisshme ku nuk kishte asnjë vijë ndarëse mes gazetarit dhe një klienti të rëndomtë kafehaneje, në mënyrën e formulimit të pyetjeve dhe komenteve shoqëruese.

Eshtë një sindrom që e ka dhe Fevziu, po në të njëjtën rrethanë. As njëri e as tjetri, nuk arrijnë ta kuptojnë se nuk janë palë të njëjta në përballje me kryeministrin. Ky i fundit ka staturë politike dhe ekzekutive, pra është në pozitë shtetari, ndërsa ata janë vetëm gazetarë që nga lloji i formulimit të pyetjeve, pasuruar dhe me faktologji të nxjerrë nga procese investiguese tejet profesionale, të pozicionohen vetvetiu si oponentë të nevojshëm karshi të ftuarit me pushtet, për t’ia lënë më pas gjykimin publikut, varësisht dhe nga lloji i përgjigjeve të njeriut përballë. Ata nuk mund të rrijnë e të tjerrin komente pa fund, pa një amballazhim etik të produktit verbal, duke e shndërruar studion në kafehane.

Tek Zheji, kjo u pa dhe në tentativën për t’i bërë sfidë intelektuale ish-shokut të rinisë, qartazi si shprehje një xhelozie çunash të përkëdhelur, ku njëri pronar portali e tjetri kryeministër, padyshim që kanë efekt, herë të fshehur e herë të dukshëm, në ligjërimin e ndërsjelltë. Dallohej kjo tek një sforco e Zhejit, përballë një qetësie olimpike të Ramës, ngjyrosur dhe me njëfarë injorimi nga vetë grimasat që merrte hera-herës teksa dëgjonte tiradat e ish-shokut, për të ndërtuar fjali me pasuri leksikore të cilat ishin përgjithësisht pa pikë(.).

Dhe në një moment, e tradhëtoi veten kur tha, për veten, se po përballej (ai, Rama), me një nivel më lart se të tjerët. A është vërtet Zheji më lart? As portali tij e as moderimi i tij, nuk i kanë thënë asgjë publikut deri më tani…mbi lartësinë e pretenduar. /tesheshi.com/