Zgjohen kampionët e Lestërit, tregolësh i Vardy-t ndaj Man. Sitit

Fushata për mbrojtjen e titullit kampion në Angli ka qenë një dështim i vërtetë për Lestër Sitin, që prej javësh noton në ujëra të turbullta. Por ashtu siç qe surprizë fitimi i kampionatit sezonin e shkuar, njëlloj e papritur qe dhe fitorja e sotme ndaj Mançester Sitit.

Lestër Siti nuk fitonte në Premier League që nga 22 tetori! I njëjti Lestër, në takimin e javës së 15-të të kampionatit anglez, ka kryesuar ndaj Mançester Sitit 3-0 që në minutën e 20-të!

Vardy i bëri një nisje të mrekullueshme lojës, duke shënuar që në minutën e tretë. Rezultati shkoi në 2-0 në minutën e pestë pas golit të King-ut. Vardy e dërgon topin sërish në rrjetë në të 20-tën minutë.

Guardiola nuk kupton se ç’po ngjet me të tijtë, që pa Aguero-n dhe Fernandinho-n në fushë, të dënuar me të kuqe në humbjen ndaj Çelsit, janë tërësisht të çoroditur. Slimani mund të shënonte golin e katërt për Lestërin, por gabon në gjuajtjen me kokë para portës.

Reagimi i miqve nis e bëhet më i ndjeshëm në pjesën e dytë, veçse pa kthjelltësinë e duhur. Vardy i godet përsëri miqtë, me një gol në minutën e 78-të.

Ndërrimet e Guardiola-s japin rezultat vonë, pa mundur të shmangin humbjen. Golat e Kolarov-it dhe Nolito-s në fundin e lojës thjesht e bëjnë më pak tragjike humbjen.

Lestër Siti fiton 4-2! /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts