Zgjedhjet lokale në Kosovë: ja kryetarët që mund të humbin pushtetin…

Nga Blendi Gashi

Zgjedhjet vendore që do të mbahen më 22 tetor pritet të sjellin një garë tejet interesante në të gjitha komunat e Kosovës.

Këto zgjedhje në dallim nga të kaluarat pritet të sjellin ndryshime më rrënjësore në udhëheqjet komunale, gjithmonë duke pasur parasysh se qytetarët ndëshkuan jo pak, dy partitë që kanë qeverisur me vendin që nga paslufta LDK-në e PDK-në në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit.

Duke parë se gara do jetë tejet e rreptë të gjitha partitë janë munduar të përzgjedhin kandidatë sa më cilësorë, sidomos në komunat e mëdha ku në një mëyrë përcaktohet më pas edhe fuqia e partive, ndërsa më pak vëmendje i është kushtuar komunave më të vogla por që edhe aty pritet të ndodhin jo pak befasi.

Këto zgjedhje pritet për herë të parë të trembin disa kryetarë aktual komunash ose partitë e tyre që për vite me radhë nuk e kanë lëshuar kolltukin e pushtetit, duke e mbajtur si bastion të tyre.

LDK-ja më së shumti rrezikon të befasohet për të keq kjo për shkak se në zgjedhjet e kaluara befasoi për të mirë me marrjen e disa komunave që as vet vështirë se mund ta ketë besuar.

Komunat që rrezikon PDK-ja

Frika më e madhe e PDK-së do të jetë humbja e komunës së Prizrenit, të cilën e udhëheq për tre mandatesh me Ramadan Mujën. Në këto zgjedhje synon mandatin e katërt me të panjohurin Shaqir Totaj. Duke pasur parasysh keqqeverisjen në këtë komunë PDK lehtësisht mund humbasë këtë komunë, e cila mund të qeveriset nga Vetëvendosje me kandidatin e saj Mytaher Haskuka ose LDK-ja me Hatim Baxhakun.

Luftë të madhe për të mbajtur pushtetin PDK do të ketë edhe në Rahovec ku sërish garon me kryetarin aktual Idriz Vehapi. Këtë komunë lehtë mund ta rikthej në qeverisje AAK-ja dhe kandidati i saj Smajl Latifi pasi e kanë udhëhequr për një mandat.

Komuna e Vushtrrisë të cilën e udhëheq për disa vite me Bajram Mulakun e që në këto zgjedhje synon ta fitojë me Ferit Idrizin mund t’i ikë PDK-së, pasi pritet të ketë një garë të forte me LDK-në dhe kandidatin e saj Xhafer Tahiri, por që nuk përjashtohet edhe ndonjë befasi nga Vetëvendosje.

Komunat që rrezikon LDK-ja

LDK-ja e Isa Mustafës në këto zgjedhje rrezikon të humbë një numër jo të vogël komunash, mbi të gjitha disa kryetar që kanë qeverisur për disa mandate mund të rrëzohen nga karriga e pushtetit.

Si kurrë më parë Agim Veliu kryetar aktual i Lipjanit, njëherësh kandidat edhe për mandatin e katërt rrezikon të humbë pushtetin. Vetëvendosje me kandidatin e saj Ajet Potera pritet t’i rrezikojë seriozisht karrigen Veliut, por që nuk përjashtohet edhe ndonjë befasi nga kandidati i PDK-së Hajredin Hyseni.

Fushë Kosova një bastion i pathyeshëm i LDK-së po ashtu ka gjasa të mëdha të shembet dhe të rrëzohet nga pushteti kryetari i saj Burim Berisha që për vite të tëra drejton këtë komunë.

Avni Zogiani kandidat i Vetëvendosje-s ka gjasa të mëdha që të bëjë befasinë e dytë pas Shpend Ahmetit në zgjedhjet e kaluara që e mposhti Isa Mustafën.

Peja që drejtohet nga Gazmend Muhaxheri ka gjasa t’i rrëshqasë LDK-së pasi do ketë një garë të fortë me kandidatin e AAK-së Fatmir Gashi. Dhe gjasat bëhen më të mëdha nëse dy të lartpërmendurit shkojnë në balotazh dhe më pas një përkrahje e PDK-së për AAK-në përfundimisht mund ta mposhtin LDK-në.

Gjilani komunë që udhëhiqet nga Lutfi Haziri po ashtu do ketë garë të forte ku PDK-ja me kandidatin e saj Zenun Pajaziti, pa harruar në asnjë moment Vetëvendosjen me kandidati Sami Kurteshi, ka gjasa të mëdha që t’ia marrin pushtetin.

LDK rrezikon të humbë edhe komunën e Ferizajt ku sërish garon me kryetarin Muharrem Sfarqa. Është PDK që me Agim Aliun ka gjasa serioze ta rikthej këtë komunën nën qeverisjen e tyre. Por që nuk përjashtohet ndonjë befasi edhe nga Vetëvendosje me kandidatin e saj Faton Topallin.

Karrigen e kryetarit mund ta humbin edhe Sali Asllanaj kryetar aktual i Suharekës që do sfidohet nga Bali Muharremaj i AAK-së, si dhe kryetari dhe kandidati për një mandat tjetër Sokol Haliti i Vitisë që mund të mposhtet nga Sali Salihu i Vetëvendosjes.

Ku rrezikojnë të humbin Vetëvendosje, AAK dhe AKR …

Lëvizja Vetëvendosje të vetmin rrezik e ka humbjen e Prishtinës që e udhëheq me Shpend Ahmetin e me të cilin synon edhe një mandat.

Ndërsa ka gjasa tejet të mëdha për herë të parë të fitojë në disa komuna.

AAK-ja mund të humb lehtësisht komunën e Obiliqit që udhëhiqet nga Xhafer Gashi, që garon edhe për një mandat. Padyshim se Mehmet Krasniqi i LDK-së do jetë sfiduesi i tij më i madh ku pret ta rikthej nën qeverisjen e tij këtë komunë.

Edhe AKR-ja rrezikon të humbë vetëm komunën e Mitrovicës së Jugut ku sërish garon me Agim Bahtirin, pa llogaritur këtu Gjakovën që e fitoi me Mimoza Kusarin në zgjedhjet e kaluara, pasi  kjo e fundit tashmë nuk është pjesë e AKR-së.

Fitorja më e madhe e partisë së Pacollit do ishte marrja edhe mandatit të dytë në Mitrovicë, që gjasat i ka tejet të zbehta dhe seriozisht i rrezkohet nga Valdete Idrizi e PDK-së.

Komunat ku nuk priten ndryshime

Ndërsa në disa komuna nuk pritet të ketë befasi dhe kryetarët e tyre pothuajse e kanë të sigurtë karrigen e pushtetit edhe për një mandat.

PDK-ja sipas të gjitha gjasave do të mbetet e pamposhtur në Klinë ku do të sigurojë edhe një mandate me Sokol Bashotën, si dhe të fitojë sërish Rahovecin me Idriz Vehapin.

Edhe LDK-ja pritet t’i fitojë sërish Lipjanin me kreun aktual Imri Ahmeti si dhe Istogun me Haki Rugovën.

S’priten t’i rrezikohet pushteti as NISMA-s në Malishevë ku sërish garon me Ragip Begajn, jo për faktin se ky i fundit është kandidat i paprekshëm nga rivalët, por për shkak se Fatmir Limaj do angazhohet me gjithë potencialin ta mbajë komunën e tij nën qeverisje.

Edhe në Deçan nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim dhe AAK pritet ta marrë dhe një mandat tjetër këtë herë me kandidatin e saj Bashkim Ramosaj. /tesheshi.com/