Zgjedhjet lokale në Kosovë: ​1600 mërgimtarë aplikojnë për të votuar

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve deri dje, kanë arritur rreth 1600 aplikime të bëra nga diaspora për regjistrimin si votues jashtë Kosovës, për zgjedhjet lokale, ndërsa proçesi përmbyllet më 23 gusht.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se faza për regjistrimin si votues jashtë Kosovës është më e gjata e këtij procesi.

Sipas tij, përgatitjet për zgjedhjet lokale janë duke shkuar sipas dinamikës së paraparë në planin operacional, i cili është miratuar menjëherë pasi janë shpallur zgjedhjet lokale.

Lidhur me votimin e diasporës nëpër ambasada e konsullata, Elezi ka thënë se mënyra e regjistrimit për votim të jashtëm është e rregulluar me ligj dhe rregulla zgjedhore.

Mirëpo, kryesuesi i Departamentit për çështje të diasporës në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Jahja Lluka ka thënë për “KosovaPress” se duhet të bëhen ndryshime ligjore me qëllim që ata të votojnë në vendet ku jetojnë.

Lluka po ashtu ka thënë se Ministria e Diasporës po insiston që me ndryshimet e ligjit dhe Kushtetutës të futen edhe vendet e rezervuara për diasporën në Kuvend të Kosovës.

Kutjojmë se ligji për zgjedhjet e përgjithshme thotë se votuesi me të drejtë vote, i cili përkohësisht mungon në Kosovë mund të votojë për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës nëse ai ose ajo ka aplikuar suksesshëm për votim jashtë Kosovës dhe ka votuar në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe rregullat e KQZ-së. Dhe vota përmes votimit jashtë Kosovës duhet të pranohet nga KQZ-ja para ditës së zgjedhjeve, sikurse përcaktohet me anë të rregullave të KQZ- së.

Votuesi me të drejtë vote mund të aplikojë për të marrë një fletën për votim jashtë Kosovës duke dorëzuar të plotësuar aplikimin /formularin e regjistrimit të votuesit (“aplikimi përmes-postës”), në formën në dispozicion nga faqja elektronike e KQZ-së përmes tri formave. /tesheshi.com/