Zgjedhjet çeke: Milos Zeman, presidenti politikisht jo-korrekt e anti-musliman po ndan kombin

Çekët shkojnë në votime këtë fundjavë për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Votimi dyditor po shihet si referendum për kandidatin 73-vjeçar, i njohur për deklaratat e drejtpërdrejta e kontraverse, Milos Zeman, si dhe për drejtimin që do të marrë vendi.

Një nga veprimet e para të Milos Zeman si president ishte tepër simbolik. Më 3 prill 2013, një muaj pas zgjedhjes, ai ishte i pranishëm ndërsa flamuri blu dhe verdhë i Bashkimit Europian po ngrihej mbi kështjellën e Pragës, selia e presidencës çeke, – diçka që paraardhësi i tij, Vaclav Klaus kishte refuzuar me forcë ta bënte.

Veprimi ishte një mënyrë për të garantuar të paktën një pjesë të çekëve urbanë, liberalë e pro-europianë – pjesa më e madhe e të cilëve nuk votuan për të – se pozicioni gjeopolitik i vendit, në fund të fundit, do të ishte i sigurtë në duart e tij.

Kjo garanci nuk zgjati shumë. Sot, vendi është i ndarë si kurrë më parë në lidhje me presidentin Zeman dhe se kujt ai i qëndron besnik në të vërtetë.

I drejtpërdrejtë

Për pjesën më të madhe të kandidatëve që zotohen ta konkurrojnë atë në zgjedhjet presidenciale, rideklarimi i orientimit perëndimor të Republikës Çeke është në krye të axhendës.

“Kështjella e Pragës ka nevojë të dezinfektohet”, thotë Michal Horacek, sipërmarrës muzikor, pronar i një agjencie bastesh e tani kandidat për president.

“Unë dua që Kështjella të jetë si një vitrinë, një dritë e shkëlqyeshme transparence për këtë vend”. Presidenti Zeman është shndërruar në një prej kundërshtarëve më të deklaruar të sanksioneve kundër Moskës së bashku me aleatin e tij politik – të sapocaktuarin kryeministër, Andrej Babis – i cili u bën jehonë pikëpamjeve të tij.

Rrethi i ngushtë i këshilltarëve të tij përfshin edhe themeluesin e degës çeke të gjigandit rus të naftës, Lukoil. Presidenti po ashtu e ka bërë përmirësimin e marrëdhënieve me Pekinin, prioritet, duke mikpritur presidentin kinez në një vizitë shtetërore pompoze.

Këto janë gjëra që jo të gjithë në vend i shohin si me përfitim për shtetin.

“Unë nuk dua që republika Çeke të bëhet ‘Kalë Troje’ për entitete të tilla si Federata Ruse apo Kina”, thotë Horacek.

Sfidanti më serioz i presidentit Zeman – ish-kreu i Akademisë Çeke të Shkencave, Jiri Drahos – nuk është më pak kritik.

“Ne themi në vendin tonë se ‘peshku qelbet nga koka’ dhe kjo përmbledh në mënyrë perfekte mandatin e Zeman”, thotë ai.

“Ai ka dëmtuar pozicionin tonë ndërkombëtar, na ka larguar nga partnerë kyç ekonomikë dhe të sigurisë, ka ulur debatin publik dhe vazhdimisht u ka shkuar pas qejfit ekstremistëve”.

Në dy pikat e fundit – ndoshta më shumë se për gjithçka tjetër –  Milos Zeman ka ndarë kombin.

“Në siklet”

Për mbështetësit e tij, ai është një personazh që flet atë që mendon, një mjeshtër në marrjen e qëndrimeve,  politikisht jo-korrekt, duhanpirës dhe konsumator i rregullt i alkoolit, çka do të thotë një politikan i fortë i shkollës së vjetër: një president që flet për shpresat dhe frikërat e njeriut të zakonshëm.

E sigurtë është që komentet e tij janë famëkeqe.

Në vitin 2015, ai paralajmëroi qytetarët e Zlinit në Moravinë Jugore kundër pushtimit nga emigrantët muslimanë. “Bukuria e grave tona do të humbasë”, i tha ai turmës, “për shkak se ato do të mbështillen në burka”.

“Me lejen tuaj”, shtoi ai, “në mendje më vijnë disa gra për të cilat kjo do të përbënte një përmirësim”.

Në fakt, ai e ka bërë “kërcënimin” nga bota Islame – të cilën e quan “anti-qytetërim”, një temë qendrore të presidencës së tij.

Turma demostruesish u mblodhën për të kërkuar dorëheqjen e Zeman, por në nëntor 2015 ai u shfaq në podium se bashku me një grup shkatarraq islamofobësh dhe ultranacionalistësh. Dy vjet më pas, ai ishte folësi kryesor në një konferencë të partisë SPD, një forcë politike kundër emigrantëve. Bëhej fjalë për një shfaqje të paprecedent për njeriun që e quan veten leftist.

Votuese për herë të parë,  Klara e cila mbush 18 vjeç ditën e zgjedhjeve, dëshiron të shohë ndryshim të drejtimit të vendit.

“Unë mendoj se presidenti Zeman nuk përfaqëson vendin aq mirë sa duhet”, thotë ajo. “Ndonjëherë ai sillet sikur nuk është presidenti ynë dhe kjo më vë në siklet”.

Studentja thotë po ashtu se problemet shëndetësore të Zeman përbëjnë po ashtu shqetësim. Ai vuan nga dy lloje diabeti dhe dëmtim për shkak të kësaj sëmundjeje edhe të nervit në gishtin e madh të këmbës. Për këtë arsye, sa mezi ecën në shfaqjet publike, dhe varet nga mbështetja në shkop.

Por, studentët në Pragë nuk janë bastioni i votave të Zeman. Para zgjedhjeve, ai premtoi se do të ishte president i “minimumi 10 milionëve”. Popullsia çeke është aktualisht rreth 10.6 milionë.

Ishte një ironi e qartë ndaj elitës urbane të vendit.

Ndjesia është reciproke. Pothuajse të gjithë posterët e Zeman të vendosura në shtyllat e ndriçimit në lagjet e Pragës janë grisur apo shkarravitur.

Sidoqoftë, në qytete si Ostrava apo Zlin apo edhe vendlindja e tij,  Kolin – sidomos mes të moshuarve dhe votuesve më pak të arsimuar – gjërat qëndrojnë ndryshe.

Nëse sondazhet dhe gjasat e basteve mund të merren në konsideratë, këta votues janë gati ta rizgjedhin atë. Nëse ndodh kjo, do të ketë festime në klubet e fshatrave, ndërsa qendrat urbane do të zhyten në depresion të thellë.

Por, nëse ndokush nga rivalët do ta largojë atë nga detyra, kjo ngjarje do të përfaqësojë një risi të madhe për politikën çeke ndërsa vendi feston ditëlindjen e 25-të.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Related posts