Turqit votojnë për stabilitetin: AKP-ja i fiton bindshëm zgjedhjet dhe siguron shumicën dërrmuese

Të gjitha anketimet e para 1 nëntorit kishin parashikuar një fitore të AKP-së, por në asnjë prej tyre nuk kishte shenja të një fitoreje të thellë, mbase të pamenduar dhe për fituesit.

Adalet ve Kalkınma Partisi (Partia për Drejtësi dhe Zhvillim) rikthehet edhe një herë të qeverisë e vetme Turqinë, duke i dhënë fund një periudhe pesëmujore pasigurie. Qytetarët turq kanë vendosur që vendi i tyre të mos kthehet në një Siri, që lulëzimin e tyre ekonomik të mos e marrë lumi, e ata vetë të mos marrin rrugët si refugjatë, siç po ndodh me sirianët, libianët e afganët.

Rezultatet e zgjedhjeve të sotme kanë nxjerrë në vend të parë partinë e drejtuar nga Ahmet Davutogllu, i cili është njëkohësisht dhe kryeministër i vendit. AKP-ja i ka fituar thellë zgjedhjet, duke kryesuar me 49.4% pasi janë numëruar 98 për qind e kutive të votimit. 316 është numri i përkohshëm i deputetëve që do të ulen në parlament nën siglën e AKP-së, shumë më tepër se ç’duhet për të krijuar e vetme qeverinë.

Mbi 22 milionë votues turq e kanë hedhur votën e tyre për AKP-në, ndërsa krahasuar me zgjedhjet e 7 qershorit është shtuar me 3.5 milionë numri i votuesve për këtë parti. AKP-ja ka njohur rritje në çdo provincë në këto zgjedhje. Ajo ka dalë si parti e parë në Suruç, aty ku më 20 korrik u vranë mbi 30 persona dhe mbetën të plagosur mbi 100 të tjerë në një akt kamikaz. Fituese ka dalë AKP-ja dhe në Soma, ku në maj të 2014-ës qindra minatorë humbën jetën të mbetur të bllokuar brenda një miniere.

Një shifër tjetër domethënëse e këtyre zgjedhjeve janë votat e pavlefshme, që nga rreth 1.3 milionë të tilla pesë muaj më parë kanë zbritur diku te 400.000, duke reflektuar bindjen e krijuar në këto zgjedhje nga një pjesë e elektoratit se për kë duhet të votonin.

Sonte pritet që kryetari i partisë, Ahmet Davutogllu, të mbajë një fjalim në ballkonin e selisë qendrore të AKP-së në Ankara, një traditë e konsoliduar kjo tashmë.

Nga partitë e tjera, Partia Republikane Popullore (CHP) mbetet opozita kryesore, pa shumë lëvizje në votat e siguruara, diku te 25.2%, të përkthyer në 133 deputetë.

Rënie të ndjeshme ka pësuar Partia e Lëvizjes Kombëtare (MHP), që ka zbritur në 11.9%, dhe do të ketë 42 deputetë në parlament. Nacionalistët paguajnë çmimin e sjelljes së tyre në këta pesë muaj, kur për asnjë çast nuk e dëgjuan zërin e bazës së partisë, e nuk i shtrinë dorën e bashkëpunimit AKP-së.

Kurdët e HDP-së gjithashtu janë tkurrur, por gjithsesi deri tani ia kanë dalë ta kalojnë pragun elektoral, me 10.3% të votave të hedhura në kuti për ta. /tesheshi.com/

 

 

auto pjese dak

Related posts