728 x 90 Leaderboard

Zëri kryesor nga politika që kundërshtoi ndërtimin e një xhamie të Namazgjaja; pse?

Një fjalim i hershëm i të ndjerit Pjetër Arbnori, aty nga mesi i viteve ’90, publikuar nga DITA, ka nxjerrë në pah atë fakt që për shumëkënd nuk dihej; që ish-kryeparlamentari demokrat ka qenë zëri kryesor nga politika i cili ka kundërshtuar ndërtimin e një xhamie në krah të parlamentit – aty ku vitet e fundit po ndërtohet e ashtuquajtura Xhami e Madhe apo ndryshe Xhamia e Namazgjasë. Kundërshtimi i tij përkon pikërisht me kohën e vënies së gurthemelit, viti 1993. Dhe siç dihet, që prej asokohe, kur në pushtet sapo kishin ardhur demokratët, e deri pas afro 20 vitesh, aty gjithçka mbeti pezull; mbeti kujtimi i përpjekjes për të ndërtuar një xhami, penguar nga kushedi çforca okulte, ose dhe reale, nga politika e pushtetet, sipas perceptimit të komunitetin që e kërkonte. Kundërshtimi i të ndjerit Arbnori ka qenë i hapur, i pakompleksuar dhe i kujdesshëm në pikën e mbajtjes së një ekuilibri fetar. Por çështja e xhamisë nuk është temë kryesore në fjalimin e tij. Shqetësimi i tij bazë janë kioskat, ndërsa xhamia ndërfytet mes tyre.

“Ndër urdhrat e parë që dhashë kur u bëra Kryetar i Kuvendit Popullor ishte lirimi i lulishtes për të shëtitur pa pengesë qytetarët. Një rrethim tepër i ngushtë mbeti vetëm natën për ndërtesat. Befas u ngrit një kioskë. “Përse? – pyeta. Po që deputetët të hanë ndonjë ëmbëlsirë. E po, mirë, – u përgjigja. Me gjithë ato fjalë të hidhura që shkëmbehen në seanca, le të ëmbëlsohen pak”. U ngrit edhe një kioskë tjetër. “Përse? – pyeta. E, po, për akullore e pije. E, po, mirë. Meqë nxehen në seanca, le të freskohen pak”.

Bëri pushimet Parlamenti dhe kur u kthyem, gjetëm të ngritura 4-5 kioska. Protestova. I kemi me leje na thanë, nga Bashkia, nga KRRT-ja, nga KKP-ja, e nga ku e di unë. I dërgova protestë zyrtare Bashkisë, KRRT-së dhe në vend të përgjigjes u gdhi e rrethuar 1/3 e lulishtes së Parlamentit, sepse do të ngrihej një xhami. U bë mbledhja e të gjithë kryetarëve të komisioneve dhe e kundërshtuam prerë.

Kemi respekt për besimet, i përkrahim, por ne jemi shtet laik dhe nuk është logjike që te dera e Parlamentit të këndojë prifti apo hoxha. Kërcënova se do të vendos përsëri roja dhe ndërtuesit e hoqën rrethimin e llamarinave, po ndërkaq kioskistët vazhduan sulmet e natës duke rrethuar lulishten dhe Parlamentin me një mur të padepërtueshëm”

Pra, në gjykimin e ish-politikanit demokrat, do kishte një mospërputhje urbane të qënit afër të parlamentit me një objekt kulti.

Dhe realisht sot, vetëm me gjykim urban, me xhaminë gjigande në krah, godina e parlamentit e ka humbur potencën e cila ja jepte moskonkurueshmëria e volumeve në atë hapësirë. Deri dje, ajo ishte e vetme, dhe natyrisht më e pushtetshme. Ndërsa sot nuk e gëzon më një privilegj të tillë, gjithnjë nga pikëpamja urbane. Ndërsa i ndjeri Arbnori, ka shkuar dhe më tej te mospërputhja, duke ia mveshur dhe dy funksioneve, të njërës dhe tjetrës, siç potencon zërat klerikalë afër parlamentit.

“Kemi respekt për besimet, i përkrahim, por ne jemi shtet laik dhe nuk është logjike që te dera e Parlamentit të këndojë prifti apo hoxha…”.

Dhe më të vërtet, puna arriti deri në pikën sa godina e legjislativit shqiptar nuk dukej më nga asnjë drejtim për shkak të pyllit të kioskave rreth e rrotull, ndërsa xhamia bëri “stop”. Megjithatë, nuk mund të thuhet se ka qenë zëri i Arbnorit ai që e stopoi ndërtimit. Kundërshtimi, me po të njëjtin argument, urban por më së shumti politik, ka ardhur dhe nga kancelari perëndimore. Shumëçka nuk është zhvilluar në publik, por me marrëveshje të “nëndhenshme”. /tesheshi.com/                              

Related posts