728 x 90 Leaderboard

Zbulohet letra e Llallës për Kongresin amerikan: Lu më kërkoi arrestimin e Ilir Metës

Sherri mes Adriatik Llallës dhe Donald Lu nuk paska qenë vetëm mediatik dhe “shqiptar”.

Pikërisht një vit më parë, kur Llalla ishte më i fuqishëm se kurrë në postin e Kryeprokurorit të Përgjithshëm, i ka dërguar një letër Kongresit Amerikan ku deklaronte se ambasadori i SHBA-së në Tiranë i kërkoi arrestimin e kryetarit të atëhershëm të Kuvendit, Ilir Metës, i cili sot është President i Republikës.

Në letrën e tij Kryeprokurori akuzon Donald Lu për kalim të kompetencave të tij dhe ndërhyrje në gjyqësor.

Ja ç’shkruan Llalla:

“Edhe pse ishte përballur me prokurorët në takime të ndryshme, në maj 2015, ambasadori Lu kërkoi një takim me Prokurorin e Përgjithshëm. Në këtë takim, i kërkoi Prokurorit të Përgjithshëm ndërhyrjen për të ndikuar te prokurorët që të mos e kundërshtonin projektin e tij për reformën në drejtësi. Për më tepër, në një mënyrë jo-diplomatike dhe kundër çdo norme të garantuar nga Konventa e Vjenës, ambasadori Lu i sugjeroi Prokurorit të Përgjithshëm se duhet të arrestonte Kryetarin e Parlamentit dhe gjithashtu kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta.

Në pretendimet e Z. Lu, Kryetari i Parlamentit Meta ishte i korruptuar dhe po pengonte reformën në drejtësi dhe se arrestimi i tij do ta ndihmonte Shqipërinë të integrohej sa më shpejt në Bashkimin Evropian.

Një kërkesë e tillë, tërësisht e papërgjegjshme, e detyroi Prokurorin e Përgjithshëm ta ndërpriste takimin, duke shpjeguar se arrestimi i çdo personi, përfshi edhe zyrtarët, mund të kryhet vetëm mbi bazën e provave.

Prokurori i Përgjithshëm shprehu në qëndrimin e tij se nëse kërkesa ishte logjikisht pa baza, dhe në mungesë totale provash për korrupsionin e zyrtarëve të lartë, kjo mund të rrezikonte të shkaktonte trazira të rënda politike dhe shoqërore në Shqipëri”

Më tej, në letrën e tij Llalla akuzoi ambasadorin amerikan se bashkë me Fondacionin Soros ka krijuar një opinion të njëanshëm për reformën në drejtësi.

“Në përpjekje për të krijuar idenë në publik se populli shqiptar e mbështeste miratimin draftit të reformës në dtrejtësi që u ishte servirur, ambasadori Lu mori pjesë në një protestë të organizuar nga “Shoqëria Civile”, por që në të vërtetë ishte organizuar nga Fondacioni Soros.

Në një shfaqje të pakuptimtë, diplomati Lu udhëhoqi një grup prej rrth 30-40 personash, të gjithë anëtarë të Fondacionit Soros ose administratës publike.

Ndërkohë, ambasadori Lu, në një përpjekje të fundit, nisi të ushtronte trysni të hapur ndaj disa deputetëve të parlamentit shqiptar që të miratonin draftin e mbështetur prej tij.

Disa mesazhe telefonike u publikuan në mediat shqiptare, në të cilat ambasadori Lu u thoshte deputetëve se në rast se nuk e miratonin draft-Kushtetutën, ai do të merrte masa ndaj tyre. Në bazë të këtyre mesazheve, ambasadori Lu i informonte ata se nëse këta deputetë nuk do të votonin për draftin, ata duhet të kishin parasysh se ambasada amerikane në Tiranë do t’u vendoste në një listë të zezë penalitetesh. Ekzistenca e këtyre mesazheve u konfirmua publikisht nga disa ligjvënës dhe nuk u mohua nga ambasadori Lu.

Mbi bazat e kësaj “trysnie” ishte edhe fakti se ambasadori Lu pretendoi se ai kishte informacione komprometuese për këtë deputetë. Mesazhi ishte i qartë se nëse ata do ta votonin draft-Kushtetutën e mbështetur prej tij, informacioni kompromentues për deputetët nuk do të publikohej”, theksohet ndër të tjera në letër.

Nga ana tjetër, ambasadori Lu e konsideron ish-kryeprokurorin si një ndër zyrtarët që pengoi të ndëshkonte “peshqit e mëdhenj”. /tesheshi.com/

 

Related posts