728 x 90 Leaderboard

Zbërthimi i Gëzim Qendros: Kinostudio në formën e Kryqit, pse Enver Hoxha e toleroi projektin misterioz të Moskës?

Ditë më parë, u nda nga kjo jetë një ndër figurat më të shquara të artit figurativ shqiptar, Gëzim Qendro, i konsideruar si një ndër kritikët më ekselentë të kësaj lëmie.

Ndër shumë vepra kritike që pas, është dhe ajo mbi domëthenien e stilit arkitektural të godinës së ish-Kinostudios “Shqipëria Sot”, Cine Cita-s së komunizmit, publikuar kohë më parë te Milosao.

Po sjellim pjesë nga ky shkrim, edhe si kujtesë për atë se me çfarë kontibuoi i ndjeri Qendro në kritikën e artit figurativ shqiptar…

 

Shkrimi: Enigma e pazgjidhur, Kinostudio në formën e kryqit

Një zbulim i rastësishëm që ngre dhjetra pikpyetje e mistere. Planimetria e ndërtesës së Konostudios ka formën e kryqit. E tillë ishte projektuar që në Moskë dhe e tillë është edhe sot. Kubeja e saj është e pikturuar si të gjithë kishat ortodokse, shenjat e kryqit gjenden gjithkund. Hyrja e saj sheh nga verilindja, edhe personazhet e gdhendur në atë hyrje tregojnë me dorë po nga verilindja. Ndërtesa i ka kthyer shpinën kryeqytetit. Çfarë shenjon ajo? Përballë ka malin e Dajtit. Po më tej? Në perspektivë, nëse ndjek pamjet satelitore ai drejtim të shpie drejt…Moskës. Si i kanë shpëtuar regjimit komunist këto shenja? Ky është një mister.

 Në librin e tij të njohur La Condition Postmoderne, Jean François Lyotard thekson se: “Shkenca vë në dyshim vlershmërinë e rrëfimeve duke vënë në dukje se ato nuk i nënshtrohen asnjëherë argumentimit dhe provave. Prandaj shkenca këmbëngul se ato i përkasin një mendësie tjetër: të egër, primitive, të prapambetur, të tëhuajëzuar, të ndërtuar mbi opinione, zakone, autoritet, paragjykime, padije dhe ideologji. Rrëfimet janë përrallat, mitet, legjendat, të këndshme për gratë dhe fëmijët. Në rastin më të mirë shkenca përpiqet që ta depërtojë me dritën e saj këtë obskurantizëm, duke e qytetëruar, edukuar dhe zhvilluar”. Në shkrime të mëparshme jemi përpjekur të vërtetojmë se megjithë luftën e papajtueshme të marksizëm-leninizmit kundër ideologjive të papajtueshme me të, në artin e realizmit socialist, si në pikturë ashtu edhe skulpturë, gjejmë gjurmë të qarta të metarrëfimeve. Po a ka gjurmë të tilla në arkitekturën e periudhës 1945-‘91?

Le të marrim në shqyrtim ndërtesën e korpusit kryesor të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re” e cila, ndonëse në kohën e sotme të bumit të ndërtesave shumëkatëshe nuk bën më përshtypje, për Tiranën e asaj kohe, duke gjykuar edhe nga pllaka e mermertë në hyrje të saj ku ajo cilësohet si “vepër e rëndësishme e pesëvjeçarit të parë”, kjo ndërtesë e variantit neoklasik sllav, e përzier me elemente të ikonografisë komuniste, do të ketë qenë një luks i mirëpritur dhe një krenari e ligjshme për regjimin. Ndërtesa (e cila padyshim duhet shpallur monument kulture për ta ruajtur nga ndërhyrjet e mundshme) përmban edhe disa elemente të gjuhës pamore të arkitekturës, të simboleve të lidhura me metarrëfimet.

***

Zanafilla e këtij shkrimi nis me zbulimin befasues gjatë një ore mësimi me studentë të lëndës Draëing&Design. Duke u sjellë rrotull ndërtesës për ta fotografuar në një moment vura re se ajo kishte formën e kryqit. U habita më tepër pasi këtë gjë e zbuloja pasi kisha punuar plot dhjetë vjet në atë ndërtesë. Reagimi i parë sigurisht ishte mosbesimi. I bindur se bëhej fjalë thjesht për një rastësi u mundova ta harroja. Por një zë brenda meje nuk më linte rehat duke më pyetur se si ka mundësi që një regjim që gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, më 1968-ën do të shkatërronte shumicën e objekteve të kultit, përfshirë këtu edhe kishat, të pranonte ngritjen e një ndërtese me planimetri në formë kryqi, e cila dihet se është forma e planit të ndërtesave të kultit të krishterë, pra të armiqve ideologjikë të regjimit. Ndonëse duke i ardhur rrotull ndërtesës dallohej qartë forma e kryqit, për t’u siguruar hyra në Google Earth dhe pamja satelitore nga sipër të hiqte çdo dyshim: ndërtesa kishte vërtet formën e kryqit. Kushdo që nuk e dinte funksionin e saj, nëse do ta shihte nga sipër do ta merrte pa asnjë mëdyshje si objekt kulti të krishterë. Por për t’u siguruar edhe më mirë, dhe për të shmangur ndonjë përfundim të nxituar, bëra kërkime për të zbuluar nëse ndërtesës nuk i ishte bërë më vonë ndonjë ndërhyrje e cila, qoftë edhe padashur, i kishte dhënë formën e padëshiruar për regjimin. Gjetja dhe studimi i projektit origjinal të studios sovjetike hiqte çdo dyshim se ndërtesa ishte projektuar qysh në zanafillë me një formë të tillë. Për shkak se prej disa vitesh po punoja për të zbuluar gjurmë të metarrëfimeve në artin e realizmit socialist, ky zbulim, që në një rast tjetër do të ish harruar pas disa ditësh, kish nxitur nisjen e përsiatjeve të shumta me qëllim gjetjen e pranisë së simboleve të tjera. Pyetja ishte vërtet e sikletshme: si duhej interpretuar plani në formë kryqi i një ndërtese të projektuar në Moskë, në kryeqytetin simbol të komunizmit dhe ateizmit? Si një rastësi? Vështirë se mund të besohet. Censura sovjetike, për të mos i ngrënë hakun, bashkë me simotrën e saj shqiptare ishte mjaft syçelët për të lënë t’i shpëtonte një “lajthitje” e tillë. Fillimisht duhet thënë se projekti nuk ka emër autori por mban vetëm emrin e studios sovjetike të projektimit: Studio e Arkitekturës Moskë. Në tekstin shoqërues që është hartuar me shumë kujdes flitet me hollësi për studimin sizmik të zonës, cilësinë dhe përbërjen e truallit, tullave, llaçit, betonit apo materialeve të tjera që janë përdorur, por nuk përmendet gjëkundi forma e planimetrisë. Në të thuhet vetëm se: “Miratimi i ndërtesës së kompozuar në mënyrë simetrike dhe me portik qendror i vendosur sipas aksit të simetrisë është realizuar në forma klasike duke i dhënë ndërtesës karakter të qetë dhe monumental.” Për planimetrinë në formë kryqi asnjë fjalë. Projekti, si një punë kolektive, duhet t’i jetë nënshtruar shqyrtimit të hollësishëm të të gjitha detajeve nga komisione të ndryshme, të cilët duke e ditur se në rast mungese vigjilence do ta paguanin e pakta me vendin e punës, nuk do ta kishin bërë marrëzinë të firmosnin një projekt që me planimetrinë e tij të kujton fare hapur atë të një kishe orthodokse, për shkak se, ndonëse krahu me drejtim veri-lindje/jug-perëndim është pak më i gjatë, krahët e kryqit takohen në mes, ashtu si në planin qendror të kishës lindore. Apo mos vallë ndërtesa nuk ishte e rëndësishme dhe prandaj ishte shpërfillur forma e planimetrisë së saj? Mjafton të shohim gazetën “Zëri i Popullit” të datës 11 korrik 1952 për t’u bindur se përurimi i saj u kremtua si një ngjarje e shënuar. Sot mund të tingëllojë e çuditshme që regjimi ka zgjedhur një simbolikë kundërthënëse pasi “inaugurimi i veprës paqësore të planit 5-vjeçar, qendrës së madhe të artit kinematografik Kinostudioja “Shqipëria e Re” u vendos të bëhej në “përvjetorin e IX të themelimit të Ushtrisë sonë Popullore”. Por sigurisht asokohe, për mendësinë e regjimit në këtë simbolikë nuk ka asgjë kundërthënëse. Ushtria shihej si siguruese e lirisë dhe paqes përderisa luftënxitësit ishin vetëm armiqtë ideologjikë, imperialistët.

***

Rëndësia e kësaj vepre duket edhe në rangun e lartë të personaliteteve që morën pjesë në përurim: Kryetari i Këshillit të Ministrave gjeneral armate Enver Hoxha, kryetari i presidiumit të Kuvendit popullor dr. Omer Nishani, të gjithë anëtarët e Byrosë Politike të P.P.Sh dhe një numër i madh funksionarësh më të vegjël. Po ashtu, ishin të pranishëm ambasadorët e vendeve të bllokut komunist, ku binte në sy prania e “të dërguarit të jashtëzakonshëm dhe ministrit fuqiplotë të BRSS, K.D.Leviçkin”. Ceremonia u hap nga një zyrtar i lartë, kryetari i Komitetit të Arteve dhe Kulturës Fatmir Gjata, ndërsa fjalimin e rastit e mbajti zv.kryeministri i asaj kohe Bedri Spahiu. Mbresëlënës është fakti që ai nuk harron të falënderojë për punën e tyre kryekarpentierin, Rexhep Stojku, kryesuvatorin Todi Gjulameti, kryehidraulikun Hamdi Vathi, zdrukthëtarin Hamdi Kraja, skulptorin e ri Shaban Hadëri, dhe dekoratorin Isuf Ekmeçiu. (Vendosja e skulptorit dhe piktorit së bashku me mjeshtrat e tjerë muratorë nuk ka se si të mos të na kujtojë statusin e ulët të skulptorëve në lashtësi, të cilët në hierarkinë e propozuar nga Platoni të Qytetit Ideal zinin vendin e gjashtë, së bashku me punëtorët e tjerë të krahut.) Rëndësia e Kinostudios duket edhe në prirjen e tepruar për ta kthyer një aksident në punë gjatë ndërtimit të saj, në një akt vetsakrifikimi. Në fjalim thuhet shprehimisht se “Në ndërtimin e Kinostudios ra dëshmor R.E. (Në gazetë jepet emri i plotë.) Dëshmorëve të luftës për liri u shtohen dëshmorët e ndërtimit.” Sot një ngjarje e tillë do të ishte thjesht objekt ndjekjeje penale nga ana e prokurorisë për shkelje të sigurimit teknik në punë, por rëndësia e një vepre paqësore të pesëvjeçarit të parë mjaftonte t’i jepte breroren e dëshmorit edhe viktimës së një aksidenti tragjik. Rëndësia e institucionit të ri zbulohet lehtësisht edhe prej emfazës së fjalimit të kryeinxhinierit sovjetik Boris M. Allpatov ku theksohet se “Filmat e Kinostudios ‘Shqipëria e re’  do t’i japin mundësi popullit shqiptar të forcojë bindjen për forcat e tija madhështore”. Pra, ndërtesa jo vetëm nuk ishte e parëndësishme, por rëndësia e saj përjashton çdo mundësi që forma e planimetrisë së saj në formë kryqi të ketë kaluar pa u vënë re. Po atëherë përse të jetë zgjedhur?

***

As funksioni i ndërtesës nuk duket ta përligjë formën e çuditshme të planimetrisë, pasi një fabrikë imazhi si Kinostudioja nuk e kërkon doemos një formë të tillë. Aq më tepër, kur dihet se forma e planit qendror të kryqit nuk bëhet për t’u parë nga ata që ecin rrotull apo brenda ndërtesës, por më shumë për t’u parë nga sipër, pasi i Plotfuqishmi duhej ta dinte se ku ishin banesat ku mblidhej grigja e tij, ndërsa forma e kryqit në këtë rast lidhet padyshim me mjetin në të cilin u ekzekutua Krishti. Nuk mund të besojmë që censurës së dy shteteve totalitare mund t’u kalonte pa e vënë re një planimetri me formë të tillë subversive, por të ndodhur përballë pamundësisë për të gjetur një shpjegim se përse iu dha një formë e tillë po mjaftohemi vetëm në paraqitjen e këtij fakti. Duhet thënë se ndërtesa është një përzierje e fjalorit arkitektonik të tempullit grek dhe kishës, ose më saktë një hibrid i tyre. Kështu tempullit grek i përkasin kapitelet dhe kolonat korintike, pedimenti, skulpturat në dy anët e tij dhe në majë, epistili, abakusi, stilobati, baza e tij, ndërsa nga fjalori arkitektonik i kishës mund të veçojmë medalionet dhe kubenë e pikturuar. Ndryshe nga elemente të arkitekturës së tempullit grek, që i gjejmë edhe në mjaft ndërtesa publike, sidomos në periudhën neoklasike, kubeja, si element i arkitekturës kishtare nuk dimë të jetë përdorur në arkitekturën e realizmit socialist përveçse në këtë ndërtesë. Në katin e dytë, në krahun verilindor, mbështetur mbi gjashtë kollona ndodhet një kube e cila të kujton ato që ndërtoheshin në vendin e takimit të dy krahëve të kryqit. Me prejardhje nga Lindja e Afërt, kubeja qysh nga mijëvjeçari II p.e.s mbetet ende një nga tipat themelorë të mbulimit arkitektonik ende në përdorim. Bëhet fjalë për një shumatore teorike harqesh të krijuara prej rrotullimit të një harku rreth një pike të palëvizshme duke krijuar kështu një përmasë të tretë, atë të thellësisë. Me këtë veçori lidhet edhe ngarkesa metafizike e saj. Nëse ndjekim fillin e përdorimeve të ndryshme të kubesë gjatë historisë së arkitekturës do të shohim se kuptimi më i rëndësishëm i saj mbetet ai i simbolit të kupës qiellore.

Nëse forma e planimetrisë në formë kryqi është krejt e pashpjegueshme, kubeja e pikturuar mund të gjendet në disa ndërtesa publike në BRSS ku ngjashmëria e qartë me kupolat e kishave bizantine vërehet jo vetëm në qëndrimin e figurave që shohin të gjitha lart, por edhe në format subversive në formë kryqi të tre aeroplanëve që fluturojnë mbi kokat e personazheve. Por duhet thënë se niveli i pikturimit të figurave të kubesë së Kinostudios le shumë për të dëshiruar si në teknikën e pikturimit ashtu edhe në përfshirjen bindëse të figurave në faqet e hapësirave gjysmërrethore. Në kube gjejmë edhe një element tjetër interesant, i cili fare hapur lidhet me simbolikën e metarrëfimeve, miteve dhe legjendave.

Po ashtu, interesant është fakti që simboli i kubesë ka në themel të tij kryqin (njëlloj si plani qendror i ndërtesës) por me maja të mprehta, ndërsa një kryq tjetër me krahë të valëzuar me ngjyrë të kuqe hapet në hapësirat midis krahëve. Ç’kërkon ky simbol në një ndërtesë kaq të rëndësishme për regjimin? A thua të lidhet me vendin e parë që ze dielli midis gjithë planeteve, si ylli i ditës, i njohur në shumë kultura dhe fe si ”davaritës i territ”? A ka lidhje me simbolikën që gjejmë në Dhjatën e Vjetër ku Dielli, në kundërshtim me kulturat e tjera të lashta, shihet si një nga dy dritat që krijoi Perëndia. Po kështu shpesh herë Krishti tregohet si Heliusi me një nimbus në formë dielli. Me të njëjtën simbolikë paraqitet Krishti në artin e shekujve të parë të krishtërimit si Kronokrator-it (Mbajtës i Kohës) pasi njëlloj si Dielli ai ndante ditën nga nata. Ndonëse nuk mund të vërtetojmë me siguri përse ky simbol është vendosur në një fabrikë imazhesh parajsore të propagandës komuniste, nuk mund të rrimë pa bërë pyetjen: ç’punë ka një simbol i tillë në një ndërtesë të realizmit socialist? A nuk do të ishte fare e thjeshtë të pikturohej një yll i kuq duke respektuar simbologjinë e paprekshme komuniste? Përse ky simbol pagan? Përsëri t’i ketë shpëtuar censurës pa u vënë re? Vështirë të besohet. Pastaj, përse u zgjodh pikërisht ky simbol, kujt i duhej dhe çfarë kumti bart? Për kë? E pamundur të përgjigjemi. Shkojmë më tej. Disi i papritur na duket edhe orientimi i ndërtesës në formë kryqi. Duke mos patur altar, nuk mund të presim që të drejtohej nga lindja pasi dera duhej të ndodhej në perëndim.

Në këtë rast mendoj se rëndësi merr ballina e ndërtesës. “E ndërtuar në një lëndinë të bukur në periferi të kryeqytetit”, thuhet në artikullin e Zërit të Popullit. Kështu, ndërtuesit i kishin të gjitha mundësitë dhe lirinë t’i jepnin ballinës drejtimin që donin. Përse ndërtesa e një institucioni të rëndësishëm duhej t’i kthente përgjysmë shpinën kryeqytetit? Sepse ndodhej në periferi të tij? Planifikuesit urbanë e dinin se në mos për dhjetë vjet, pas njëzet vjetësh qyteti, (ashtu siç ndodhi vërtet),do ta arrinte  Kinostudion dhe drejtimi i veri-lindjes nuk duket më i qëlluari. Por mbase një përgjigje mund të na e japë përsëri pamja nga sateliti. Për çudi nëse ndjekim drejtimin e verilindjes mbërrijmë pak a shumë në…Moskë. Të jetë edhe kjo rastësi? Mundet. Por pas një shqyrtimi të hollësishëm të orientimit të të gjitha ndërtesave kryesore publike të ndërtuara në Shqipëri pas 1945 më rezulton se asnjëra prej tyre jo vetëm që nuk ka formën e planimetrisë së Kinostudios, por të gjitha respektojnë rreptësisht drejtimin e katër pikave të horizontit. E vetmja që drejtohet nga verilindja është kjo ndërtesë e projektuar në Moskë. Por nuk kemi mbaruar ende me “rastësitë”. Njëra nga figurat që përbëjnë një grup skulpturor të vendosur mbi njërën nga shtyllat e gardhit metalik të Kinostudios tregon me një gjest shprehës po ashtu drejtimin e verilindjes.

***

Nga historia e artit dimë se monumentet tregojnë me dorë dhe vendosen përballë hapësirash të hapura, të lira nga pengesa natyrore apo arkitekturore. Për çudi, dora e gruas me kostum kombëtar tregon një drejtim që nuk të çon askund (përveçse në Moskë), pasi do të ishte më e pranueshme të shihte nga qyteti apo nga deti dhe jo drejt një zone të pabanuar që pritet nga barriera masive e malit të Dajtit. ç’mund të themi pas gjithë këtyre “rastësive”? Na mbetet vetëm të hamendësojmë. Por të gjithë atyre që ngrenë supet duke e parë si krejt të pamundur, mund t’i përgjigjemi se të gjitha perandoritë që kanë shkelur truallin e shqiptarëve i kanë ndërtuar ngrehinat e tyre të kultit në drejtime të paracaktuara simbolike. Përfshirë këtu edhe atë turke, fashiste dhe komuniste. Mos harrojmë se Tirana, kryeqyteti ynë, zë fill me tri ndërtesa nga të cilat dy janë tipike për perandorinë turke dhe kulturën orientale: xhamia dhe hamami. Të njëjtën hulli ndoqën arkitektët e perandorisë fashiste të cilët në ndërhyrjen më të rëndësishme të planifikimit urban qysh nga koha e Sulejman pashë Bargjinit, përdorën bulevardin për të lënë në zemër të kryeqytetit shqiptar sëpatën e Liktorit, simbolit më domethënës të perandorisë fashiste, që është ende pjesë e strukturës urbane të aksit të bulevardit. Periudha e tretë, e cila fillon pas luftës së dytë botërore, ndonëse rezultoi përgjithësisht si katastrofë urbane për Tiranën, në një nga ndërtimet e para (Kinostudio), të projektuar në kryeqytetin e një perandorie të re, asaj komuniste, bart jo vetëm vulën e stilit neoklasik sllav, por edhe një simbolikë që nuk e gjejmë më në arkitekturën e viteve që pasuan.

***

Kinostudioja mbetet e vetmja që ka plan në formë kryqi, me kube të pikturuar, dhe me ballinën të drejtuar nga verilindja. Mbase mund të përjashtojmë si të paqëllimtë praninë e një kryqi në shpinën e kostumit popullor të njërit prej personazheve të gdhendur në një nga medalionet e vendosura në të majtë të hyrjes kryesore. Ndonëse nuk jam i sigurt, ka mundësi që vetë censura ta ketë toleruar atë kohë, çka nuk do ta bënte me siguri pak kohë më pas, pasi është pothuaj i padukshëm dhe vetëm një sy shumë i vëmendshëm mund ta zbulojë. Në fund të parashtrimit të këtyre “fakteve rastësorë” nuk na mbetet veçse të hamendësojmë, pasi ndodhemi midis pamundësisë për të besuar që një regjimi aq të vëmendshëm, t’i ketë shpëtuar prania e elementeve simbolike me prejardhje dhe domethënie të papranueshme për ideologjinë e tij zyrtare dhe mungesës së provave që do të na zbulonin arsyet e vërteta përse janë vendosur aty. E megjithatë faktet që përmendëm mbeten ende aty, para syve tanë, kokëfortë dhe gojëkyçur. Në pritje të zbërthimit ose harresës. /tesheshi.com/

 

 

 

Related posts