Xhamia al Bidya: ndërtesa unike që mban shumë të fshehta

Xhamia më e vjetër që i ka mbijetuar kohës në Emiratet e Bashkuara Arabe ka origjinë misterioze dhe arkitekturë të pazakontë.

Pasi viziton qiellgërvishtësit futuristikë në Dubai dhe Abu Dhabi, xhamia Al Bidya të ndjell një psherëtimë lehtësimi në thjeshtësinë e saj. Është xhamia më e vjetër në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Al Bidya mendohet se daton në vitin 1446, kur u ndërtua në një faqe kodrinore midis Gjirit dhe maleve Hajar, por askush nuk e di me siguri datën e ngritjes së saj. Për shkak se është e ndërtuar tërësisht me baltë dhe gur, përdorimi i radiokarbonit për të përcaktuar moshën e saj është i pamundur.

Xhamia është e vendosur në afërsi të fshatit Al Bidya në bregun lindor të emiratit të Fujairah. Origjina e saj mbetet ende pothuajse e panjohur. Madje, edhe të moshuarit e fshatit thuhet se dinë shumë pak për historinë e hershme të saj.

Al Bidya është një ndërtim unik, kryesisht për shkak se ka më pak kupola sesa xhamitë e tjera. Ka katër kupola e secila prej tyre përmban një kollonë qendrore që mbështet strukturën. Ndërsa ka ndriçim modern dhe ajër të kondicionuar, shkallët e imamit të vjetëruara nga koha, kamaret për dekorim apo ndriçim, dhe dritaret e vogla për të lejuar dritën dhe ajrin i bëjnë jehonë një epoke të shkuar.

Turistë të veshur modestisht mund ta vizitojnë këtë vend besimi, ku ende kryhen faljet e përditshme. Zona rreth e qark, përfshin po ashtu edhe kullat e vrojtimit, rrënoja ndërtesash dhe kioska tregtare ku shiten punime artizanale. Zona është e pikëzuar nga bimësia lokale.

Edhe pse nuk dihet shumë për origjinën dhe kush e ka ndërtuar këtë xhami, këto nuk kanë rëndësi përballë tërheqjes që ajo mbart për njerëzit edhe në ditët tona.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/