728 x 90 Leaderboard

Vuçiç, nervoz pas takimit me Thaçin: jo dialog pa u tërhequr nga Ushtria dhe nga tarifat doganore

Në Bruksel, me ndërmjetësimin e znj. Mogherini, u takuan e biseduan presidentët Thaçi e Vuçiç, por që në fund pati si rezutat një reagim nervoz të kreut të shtetit serb, i ngacmuar dhe nga vendimi i qeverisë Haradinaj për 10 përqind tarifë për produktet serbe që hyjnë në Kosovë.

Vuçiç tha se dialogu do të vazhdonte kur Prishtina të tërhiqte vendimet e saj, sipas tij të paligjshme.

“Asnjëri prej nesh nuk do të paraqitet këtu derisa të tërhiqen vendimet e paligjshme”, tha Vuçiç, duke theksuar se Prishtina synon të formojë një ushtri në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit dhe marrëveshjen me NATO-n.

“Ata që mendojnë se do të sjellin ushtrinë e tyre në veri të Kosovës, ta dijnë se kjo nuk do të ndodhë”, tha Vuçiç. “Unë dua t’u them qytetarëve serbë se ditë të rënda na presin përpara në aspektin politik”, shtoi Vuçiç.

Ndërsa presidenti Thaçi shkroi në Facebook se ai ishte dakord me Mogherini për të rritur dinamikën e dialogut.

“Ne ramë dakord për të rritur dinamikën e dialogut dhe për të rritur përpjekjet për të arritur një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme në mes Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Thaçi.

Para fillimit të takimit me Mogherinin, Thaçi tha se është e vështirë për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por se do të bëjë gjithçka që të jetë e mundur për ta bërë realitet.

Pas takimit, Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) ka thënë se BE-ja pret një angazhim për dialog dhe u bëri thirrje të dy palëve që të përmbahen nga veprimet që janë në kundërshtim me frymën e normalizimit.

“BE pret që Serbia dhe Kosova sa më shpejt të demonstrojë një angazhim për dialog në funksion të normalizimit të plotë të marrëdhënieve të tyre dhe perspektivat konkrete për aspiratat e tyre në Union”, tha deklarata e EEAS pas takimit. /tesheshi.com/

 

 

Related posts