728 x 90 Leaderboard

Vogëlushja që ngashërehet në kufirin amerikan, flet fotografi: më theu zemrën

Fotografi që fiksoi imazhin që u bë viral në rrjetet sociale, ekspozoi vuajtjet nga politika kufitare e administratës Trump, por rrëfen se të qënit dëshmitar i solli shumë trishtim.  

Fotografi John Moore, i cili shkrepi imazhin viral të një vajze dyvjeçare në kufirin amerikan tek qan me ngashërimë, e dinte mirë se ajo që kishte arritur të fiksonte ishte e rëndësishme. Fotografia e tij po shndërrohet në një simbol të fuqishëm të zemërimit ndaj politikës së “tolerancës zero” të Donald Trump, që përfshin ndarjen e familjeve.

Ajo që ai nuk mund ta dinte ishte se sa i madh do të ishte ndikimi i fotografisë së tij në debatin publik, pasi qarkulloi anekënd botës pas publikimit.

Moore, fotograf veteran i Getty Images, i cili ka kaluar një dekadë në dokumentimin e emigracionit dhe problemeve në kufirin amerikan, ishte duke shoqëruar një patrullë përgjatë luginës Rio Grande.

Përgjatë viteve të punës, Moore është njohur më së miri me rrugët përgjatë kufirit dhe mënyrave sesi reagonin njerëz të ndryshëm: sesi ata që kalonin kufirin individualisht, zakonisht burra, vraponin dhe përpiqeshin të fshiheshin nga patrullat kufitare. Shumë familje, të lodhura nga rrugëtimi ndonjëherë prej disa javësh, kërkonin të dorëzoheshin pothuajse menjëherë tek oficerët që ndeshnin.

Kishte rënë nata dhe Moore po priste në anë të lumit për tragete që mund të transportonin emigrantë pa dokumente, kur tingulli i një anijeje dhe dhjetëra njerëzve u bënë të dallueshëm. Ata që kalonin kufirin u arrestuan pothuajse menjëherë nga oficerët e kufirit.

Dhe ndryshe nga ata në anije, Moore e dinte shumë mirë se çfarë kishte gjasa të ndodhte.

“Kam fotografuar shumë familje emigrantësh që kërkonin azil politik në kufi përgjatë viteve të fundit. Jam i sigurtë se pjesa më e madhe e këtyre familjeve nuk e kishin idenë e politikës së ndarjes së fëmijëve nga prindërit e tyre gjatë procedimeve në gjykatë të kërkesës”.

“E dija, sidoqoftë, çfarë do të ndodhte me shumë prej tyre në vazhdim – ndarja – pasi ata u morën nga policia, dhe e kisha shumë të vështirë të isha dëshmitar”.

“Agjentët grumbulluan gjithë njerëzit”, kujton ai. “Ata panë dokumentet e tyre dhe morën shënim emrat dhe vendet e origjinës”.
“Një prej të fundmëve në radhë ishte një nënë me vajzën e saj. Kisha folur pak me të dhe më kishte thënë se ishte nga Hondurasi dhe se ajo dhe vajza 2-vjeçare kishin udhëtuar një muaj për të arritur kufirin amerikan.

“Oficeri i kërkoi ta ulte në tokë vajzën e vogël ndërsa nënën e kontrolluan. Pasi u vendos në tokë, vajza nisi menjëherë të qante.

Si foto-reporter që mbulon histori të tilla me vite, dhe si babai i tre fëmijëve, përfshirë edhe një vogëlush, ishte personalisht shumë e vështirë për mua të shkrepja fotografinë. Shumë shpejt, të dyja ato i futën në furgon transporti dhe gjithçka përfundoi. M’u desh të merrja disa herë frymë thellë, pasi u preka”.

Në kontekst të debatit që ka përfshirë politikën amerikane që nga nisja e politikës së administratës Trump për ndarjen e fëmijëve nga prindërit e tyre në kufi, duke marrë kritika nga politikanë të lartë republikanë dhe nga ish-Zonja e Parë, Laura Bush, Moore e dinte se ajo që ai po dëshmonte, do të kishte jehonë.

“E dija se ky imazh ishte i rëndësishëm. Por, në asnjë mënyrë, nuk mund ta merrja me mend se do të kishte kaq shumë jehonë”, thotë ai.

“Për mua, është si lehtësuese që të bëj fotografi që ia vlejnë, dhe po aq trishtuese të jem dëshmitar. Si foto-reporter i cili ka punuar në zona të vështira katastrofash dhe konflikti për shumë vjet, ky konflikt emocionesh nuk më largohet kurrë”.

“Jam përpjekur gjithnjë të humanizoj këtë histori të gjerë e komplekse që shpesh rrëfehet përmes statistikave. Kështu, me fotot e vajzës së vogël dhe nënës së saj, unë shpresoj se ia kam arritur në një farë mase. Njerëzit ruajnë në kujtesë fotot që i bëjnë të ndjejnë”.

Ai shton: “Foto-reporterët dhe gazetarët po ashtu, ne të gjithë duam të bëjmë ndryshimin me punën që realizojmë. Disa imazhe kanë një fuqi unike për të kaluar përmes kolektives. Pjesën më të madhe të kohës, sidoqoftë, madje edhe kur përpiqemi shumë, puna jonë ka ndikim të kufizuar në politikat e qeverisë. Ky imazh i ka dhënë energji publikut amerikan për çështjen e ndarjes së familjeve dhe ka prekur shumë njerëz nga ana emocionale. Unë shpresoj të ndihmojë në ndryshimin e politikës”.

Për momentin, ajo që Moore do të donte të dinte është se çfarë ndodhi me vajzën e vogël dhe nënën e saj.

“Njësitë e doganës dhe mbrojtjes kufitare nuk kanë qenë të disponueshme të më sqarojnë për statusin e tyre deri tani. Do të doja shumë të dija se ku ndodhen dhe si po e kalojnë këtë situatë”.

Përgatiti: Juli Prifti -/tesheshi.com/

 

 

Related posts