Vllahutin “shkrin” relatat me PD-në: i ofron Bashës negocim me Ramën për votimin elektronik

Versioni i opozitës për shtyrjen e zgjedhjetve të 18 qershorit dhe mundësisë për një bojkot të tyre ka alarmuar ndërkombëtarët që pritet të ndërhyjnë menjëherë.

Sot, ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vllahutin ka thirrur në një takim të posaçëm, Lulzim Bashën së bashku me krerët e partive aleate parlamentare të së djathtës që janë: Fatmir Mediu i PR, Nard Ndoka i PDK, Agron Duka i PAA dhe Dashamir Shehi i LZHK-së.

Menjëherë pas sinjaleve që PD mund të braktisë zgjedhjet, ambasadorja e BE-së ka pranuar që të jetë një lloj mediatori ndërmjet opozitës dhe Edi Ramës për të rënë dakord për një klimë besimi në zgjedhje.

PD kërkon votim dhe numërim elektronik; PS nuk e pranon, ndërkohë që BE pritet të sjellë në tavolinë propozimin që të jetë Bashkimi Europian, autoriteti që do të sjellë dhe menaxhojë pajisjet për votimin apo numërimin elektronik.

Partia Demokratike ende nuk e ka vendosur nëse do numërimin apo votimin elektronik. Basha dje foli edhe për procesin e votimit, i cili nëse vendoset të bëhet me kompjuter do të jetë shumë i vështirë të zbatohet.

Siç mësohet BE do t’i ofrojë Bashës një mundësi për numërim elektronik dhe jo votim dhe ka gjasa që kjo të vendoset jo në të gjitha qarqet.

Megjithatë, negociatat ende nuk kanë filluar dhe do të pritet.

 

Odiseja e teknologjisë

Para pak ditësh KQZ ka ngritur duart lart duke thënë se ajo nuk mund të administrojë një votim elektronik, i cili do të kishte probbleme të mëdha.

Ndërkohë që data e zgjedhjeve është dekretuar nga Presidenti i Republikës dhe KQZ mblidhet të enjten në takimin e parë për të përgatitur votimet për Kuvendin e ri, opozita ka vendosur veton në Komisionin Palamentar të Reformës Zgjedhore që të implementohet votimi elektronik.

Kësaj nisme i është bashkuar edhe LSI, që gjithashtu ka vendosur si kusht listat e hapura. Pra që përveç partive, zgjedhësit të indikojnë edhe deputetin që duan në listën e kandidatëve për 12 qarqet.

Nëse i analizon të dyja kërkesat “ultimative”, asnjëra nga ato nuk përbëjnë element bazik zgjedhor, por janë pjesë etike dhe estetike e procesit.

Numërimi elektronik, ka favorin se procesi mbyllet shpejt dhe rezultati del menjëherë, por është një sistem që ka rezultuar shumë i brishtë për të mos thënë jo i saktë. Kjo ngaqë është i prekshëm nga kushdo që ka një PC me internet dhe ka njohuritë e duhura për të ndërhyrë në database. Dhe nga një sistem më i lirë, votimi elektronik mund të kthehet shumë i kushtueshëm pasi do të blesh programe dhe investosh njerëz për mirëmbajtje, çka rrit shumë koston por nuk garanton sigurinë.

Në SHBA, tashmë u vërtetua se si një vajzë 25-vjeçare mund të hakeronte një sistem të tërë të fuqishëm siç është Amerika dhe të ndikonte në zgjedhje.

Franca po kërkon që të heqë një pjesë të numërimit elektronik dhe t’i kthehet sistemit klasik të numërimit; Italia përdor sistemin e vjetër’ Britania e Madhe, elektronikun e përdor vetëm për të publikuar shpejt rezultatin, e më pas për procesverbal i numëron të gjitha votat me dorë.

Por ajo që është më kryesorja, sistemi do të duhet njëherë të testohet në projekt-pilot dhe më pas të përdoret. Në vitin 2010, ka qenë PS-ja, atëherë në opozitë që kërkoi sistemin elektronik të numërimit, duke e konkretizuar si projekt-pilot në dy qarqe ku u zgjodh Fieri dhe Vlora si një mundësi. Por ishte Partia Demokratike, atëherë në qeverisje se e kundërshtoi me pretekstin se është vonë, ndërkohë që kishte 2 vjet në dispozicion. Kurse sot nuk ka as 5 muaj. /tesheshi.com/