728 x 90 Leaderboard

Vjosa Osmani e LDK-së reagon për Rikalon: të pezullohet deri në një hetim të plotë

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, është shprehur e habitur me reagimin e shpejtë të prokurorisë, policisë dhe AKI-së për Nenad Rikalo, ministrin për të cilin dyshohet se ka keqtrajtuar shqiptarët në vitet 90-të.

Osmani thotë se është e çuditshme se si vetëm 24 orë pas raportimeve për veprat e Rikalos, institucionet kosovare dalin dhe thonë se s’ka fakte për këto vepra – pa pyetur fare dëshmitarët dhe pa dëgjuar dëshmitë e analizuar gjërat.

“Si është e mundur që ende pa u mbushur 24 orë nga raportimet për të kaluarën e ministrit Rikalo, Prokuroria, Policia dhe AKI të deklarohen se ky ministër është i pastër para ligjit. Kur u hetuan pretendimet?. “Kur u dëgjuan dëshmitarët?

Kur u gjinden studentët e Deçanit që kishin qenë të maltretuar? A është kjo proçedura standarde për secilin rast të maltretimeve e keqtrajtimeve ndaj shqiptarëve (pra injorimi i dëshmive dhe i detyrës zyrtare) apo po veprohet kështu vetëm për shkak se politika ka gisht këtu?

E turpshme ndaj viktimave; e pafalshme për institucionet e Kosovës. Më e pakta që do të duhej të ndodhte do të ishte suspendimi i Rikalos deri sa të ketë një hetim të mirëfilltë të rastit”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ajo më tej thotë se asnjë institucion nuk duhet të ketë vend për keqtrajtues e paramilitare, dhe shton se e vërteta del në pah herët a vonë.

“Vuajtjet e popullit shqiptar të viteve të 90-ta nuk duhet të harrohen kurrë”, shkruan ajo. /tesheshi.com/

 

 

Related posts