Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje sot zyrtarisht ka filluar të drejtohet nga kryetari i ri i saj, Visar Ymeri, i cili kishte marrë pothuajse njëqind për qind të votave – pa kundërkandidat.
Partia që është drejtuar nga Albin Kurti sot ka publikuar rezultatet e zgjedhjeve, me ç’rast është bërë “pranim-dorëzimi” i detyrës nga Kurti tek Ymeri.
E lideri i ri ka premtuar se gjatë mandatit të tij do të jetë tejet i angazhuar – ku do që e kërkon nevoja, në protesta, në institucione, në Vetëvendosje.
“Besimin që ma dhanë është përgjegjësi për mua. Këtë përgjegjësi do ta shndërroj në angazhim të përbashkët me ta, për një Vetëvendosje më të fuqishme, drejtë një Kosove që vendosë vetë, e cila vendosë të zhvillohet, vendosë të barazohet, vendosë të solidarizohet, sovranizohet, dhe e cila vendosë të bashkohet. Ashtu siç nuk u kursyet kurrë ju, ashtu nuk do të kursehem kurrë as unë – në punë, në terren, në demonstratë e protestë, në publik e media”, ka thënë Ymeri, teksa ka folur në Këshillin e Përgjithshëm të Vetëvendosjes.
I pranishëm ka qenë edhe tashmë, ish-lideri i kësaj partie, Albin Kurti. Gjatë fjalimit të tij ai i ka falënderuar militantët e partisë që i kanë dhënë dashuri të përzemërt.
“Ju falënderohem nga zemra, iu përulem me respekt, për respektin e përzemërt që keni treguar ndaj meje si kryetar. Ju falënderohem për të gjitha diskutimet e shqyrtimet e veçanta drejt secilit qëndrim e vendim të përbashkët. Në mandatin e kaluar kam qenë edhe përballë Këshillit, edhe në Këshill, edhe me Këshillin. Tash do të jem edhe në Këshill, edhe me Këshillin, dhe, si gjithmonë, për Lëvizjen”, ka thënë ai./TeSheshi/