Villas Boas shpëton mirë, provat si pilot Rally për pak “e marrin në qafë”

Kush e mban mend lajmin e bujshëm se trajneri i futbollit Andre Villas Boas do të merrte pjesë në garat Rally Dakar, me siguri tregon interes se si shkoi ëndra e tij e fëmijërisë.

Në gjuhën e komedive shqiptare, mund të thuhet se gjithçka shkoi “me sybet”. Ish-trajneri i Chelsea dhe Totenham, është tërhequr pa u mbyllur mirë edicioni i parë i garave, për shkak të një dhimbjeje që ka ndjerë në shpinë, kur mjeti i tij “kërcente” mbi një dumë rëre.

Siç njoftojnë mediat e lidhura me këtë sport, portugezi ndërsa bënte segmentin e katërt të garës, në zonën e San Juan de Marcona, është detyruar ta ndërpresë atë, pasi dhimbjet në shpinë u bënë të padurueshme. Komunikata për mediat e skuadrës së tij, sqaruan më pas se egzaminimet mjekësore nuk nxorrën ndonjë frakturë.

Ndërkohë debutimi i trajnerit 40-vjeçar nuk është se ishte për t’u shënuar, pasi kur ishte në garë, ai ndodhej 2 orë e 18 minuta larg vendit të parë, e luftonte për të mbajtur fort, vendin e 43-të.

Siç thuhet rëndom, kurrë nuk është keq që njeriu të provojë pasionet e tij, por mbase, edhe pasioni, duhet të njohë ndonjë kufi. Në të kundërt, të duhet të mbash hall të madh mbi shpinë. /tesheshi.com/

Related posts