Vëzhgim/Po me këtë urë ç`po kanë xhanëm?!

Nga Ahmet Zani

Ura me harqe, ose e quajtur ndryshe dhe Ura e Zogut mbi lumin Mat, po shkon drejt degradimit të plotë. Kjo urë, jo thjesht nuk shërben më për kalim automjetesh, për të cilën dhe është ndërtuar, por siç po shkon puna nuk do vlejë as si vepër monumentale e trashëgimisë inxhinierike dhe estetike infrastrukturore. Mirë do ishte që, ashtu siç Rama po shndërron në muze ca relike të komunizmit, të kujtohej një ditë dhe për këtë urë.                                     Së fundi, ajo është bërë prehë e personave që i kanë zënë keq ethet e skrapit dhe të cilët po e bëjnë për “skrap”.

Kjo urë është ndërtuar që nga viti 1927 nga një inxhinier italian me një ide të vetë lartmadhnisë së tij, që më pas morri dhe emrin Ura e Zogut. Në vite, ajo ka kryer funksionin e lidhjes së Shqipërisë së Mesme me atë të veriut e verilindjes, por veç kësaj, ajo i ka dhuruar zonës një panoramë të mrekullueshme. Janë pesë harqe të mëdha të larta me veçori të rralla që e bëjnë atë mjaft tërheqëse.

Ekziston një paradoks që, banorët e zonës përreth shfaqin pezm për fatin e saj se përse po shkon drejt shkatërrimit, ndërkohë që nuk ka dyshim se ata që po bëjnë për “skrap”, patjetër që janë banorë të zonës. Madje ndodh që, ndërsa ecin në këmbë gjatë saj në kohë të ndryshme, frikësohen prej personave që luajnë rolin e kaçakëve për t`ia hequr pjesët e hekurta. Nga pafuqia për të gjetur një arsye se përse duhet ta lënë të katandiset deri në këtë pikë, të vjen të thuash: Po me këtë urë ç`po kanë xhanëm?!-një pyetje që sigurisht, i drejtohet shtetit. /tesheshi.com/

Related posts