728 x 90 Leaderboard

Vëzhgimi në 35 vende europiane: rreziku nga interneti, një në tetë adoleshentë vendos baste online

Vënia e basteve online nga djemtë adoleshentë në të gjithë Europën është shndërruar në një shqetësim të jashtëzakonshëm për shëndetin publik, pasi një në tetë prej tyre tashmë vendos baste në mënyrë të vazhdueshme, sipas një vëzhgimi të gjerë europian të nxënësve të shkollave nga mosha 15 deri në 16 vjeç.

Rezultatet e vëzhgimit katërvjeçar, ku morrën pjesë 96 mijë studentë në 35 vende, tregojnë se ndërsa pirja e cigares dhe alkoolit tek nxënësit po shfaqin shenja rënieje, ka shqetësime të reja që vijnë nga teprimi i kohës që kalohet përpara ekranit të kompjuterit dhe përdorimit të drogave të reja psikoaktive.

Rezultatet tregojnë se uebi nuk është vetëm pjesë integrale e jetës së përditshme për brezin aktual të adoleshentëve, në një mënyrë që nuk ishte e tillë madje as pesë vjet më parë, por ka shumë shqetësime për varësi nga përdorimi i internetit.

Mund të mos jetë habi fakti që adoleshentët europiane e përdorin internetin në një mesatare prej 5.8 ditësh në javë dhe se vajzat e përdorin median sociale më rregullisht, 83 për qind, sesa djemtë me 73 për qind. Habi nuk është edhe se bastet online janë më të zakonshme mes djemve 39 për qind sesa mes vajzave, 7 për qind.

Ajo që vëzhgimi Espad për vitin 2016 tregon dhe që përbën shqetësim të madh është se 23 për qind e djemve adoleshentë në të 35 vendet europiane të vëzhguara, raportojnë se kanë vendosur baste online për të fituar para gjatë vitit të kaluar. Vajzat raportojnë për një gjë të tillë vetëm në shifrën 5 për qind, pavarësisht faktit që vendosja e basteve dhe kumari nën moshën e lejuar është ndaluar në të gjitha këto vende.

Gati një në tetë djem adoleshentë raportojnë vendosjen e basteve në mënyrë frekuente – dy deri në katër herë në muaj ose edhe më shpesh – gjatë 12 muajve të fundit. Niveli më i lartë i kumarit online nga adoleshentët, një e treta ose më shumë, raportohet në Kroaci, Qipro, Greqi, Mal të Zi dhe Slloveni.

“U duhet dhënë prioritet i lartë masave për të parandaluar që adoleshentët të zhvillojnë probleme të lidhura me kumarin, si borxhet, mungesat psikologjike dhe mangësitë sociale”, thonë autorët e vëzhgimit Espad.

Rezultatet e vëzhgimit për vitin 2016 tregojnë gjithshtu se më shumë se një në pesë adoleshentë e përdor internetin për të luajtur lojëra elektronike –të paktën katër herë në javë. Nivelin më të lartë për përdorim të rregullt të internetit për të luajtur online mes djemve adoleshentë e kanë Danimarka, me 64 për qind e më pas Suedia, Estonia, Norvegjia, Finlanda. Vajzat janë shumë më pak të interesuara, niveli më i lartë arrihet në Danimarkë me vetëm 28 për qind.

Vëzhgimi i gjashtë Espad, që është i pari që shtron pyetje edhe për përdorimin e internetit nga adoleshentët, tregon se përdorimi i drogave të paligjshme ka mbetur në nivel të qëndrueshëm me mesatarisht 18 për qind të adoleshentëve që thonë se kanë përdorur një substancë të paligjshme të paktën një herë në jetën e tyre. Kanabisi mbetet më popullori dhe më lehtësisht i arritshmi për adoleshentët.

Substancat e reja psikoaktve që shpesh referohen si “droga të ligjshme” e që imitojnë efektet e drogave të paligjshme tradicionale, janë provuar nga 4 për qind e adoleshentëve europianë. Vëzhgimi tregon se ato tashmë përdoren më zakonisht sesa amfitaminat, ekstazi, kokaina apo LSD-ja.  Nivelet më të larta të përdorimit të tyre raportohen në Poloni, Bullgari, Kroaci dhe Irlandë.

Në fushën e duhanit dhe alkoolit ka zhvillime më pozitive mes adoleshentëve. 54 për qind e adoleshentëve europianë raportojnë se nuk kanë pirë kurrë cigare dhe më pak se 21 për qind thonë se pinë duhan aktualisht.

Edhe konsumi i alkoolit mes adoleshentëve ka rënë nga 56 për qind e tyre që thanë se kishin pirë alkool në 2005, në 46 për qind në vitin 2015, por kërkuesit e Espad thonë se “episodet e dehjes së rëndë” mbeten shqetësim mes 15-16 vjeçarëve në nivele që mbeten të pandryshuara përgjatë 20 vjetëve të fundit.

Kërkuesit thonë se po shtohen provat se teprimi i përdorimit të internetit, lojërat elektronike dhe bastet online kanë të njëjtin potencial për t’u shndërruar në varësi sikundër edhe substancat psikoaktive, kështu që ata e kishin zgjeruar vëzhgimin e aktiviteteve të adoleshentëve.

Ndërkaq, ata thonë se nuk ka lidhje të fortë mes përdorimit të drogës, duhanit apo alkoolit dhe sjelljeve të rrezikshme si bastet online. “Duket e nevojshme që të bëhen përpjekje të veçanta për të parandaluar përdorimin e hershëm të substancave dhe bixhozit, sikundër përdorimin e tepruar të internetit dhe lojërave online në fëmijëri dhe adoleshencë”, është përfundimi i autorëve të vëzhgimit Espad.

Përgatiti: Juli Prifti- /tesheshi.com/

 

Related posts