Nuk jemi vetëm ne hajdutë spektakolarë energjie. Për ngushëllim mund të themi se, edhe në një shtet pak më “shtet” si Maqedonia fqinje, energjia tentohet të vidhet. Më saktë të mos paguhet. Pa dallim: nga maqedonas apo shqiptarë. Edhe atje ka ligje të forta përë këtë lloj ‘hajdutërie’, si dhe të plasur në burg për këtë arsye…
Maqedonia si shtet, nuk është imune ndaj fenomenit të vjedhjes së energjisë elektrike nga qytetarët. Ekipet e kontrollit të njësive të EVN-së në Maqedoni, kanë zbuluar 1022 shfrytëzues të cilët në mënyrë kanë vjedhur energjinë, kjo vetëm për vitin 2014. Si pasojë, dëmet përllogariten në 1.5 milion euro.
Shteti, paraqitet si palë e dëmtuar tek pjesa e përqindjes së tatimit që nuk paguhet për shkak të mos faturimit të kilovatëve të konsumuara të energjisë elektrike, ndërsa humbjet më të mëdha shënohen tek rrjetet e përçimit të energjisë elektrike, e cila rëndon po njësoj mbi të gjithë shfrytëzuesit e energjisë elektrike.
Zëdhënësja e EVN-së, Vlera Gjakova, duke komentuar vjedhjen e rrymës, thotë se po të mos ishte ky fenomen, rrjeti elektrik mund t’i përballojë ngarkesat pasi është i dimensionuar sipas nevojave të Maqedonisë. “Si pasojë e vjedhjeve trasformatorët mund të digjen për shkak të vjedhjes së madhe të rrymës. Kjo në mënyrë plotësuese ngarkon instilacionet”-shprehet Gjakova, ndërsa njofton se kontrollet për kapjen e hajdutëve do të vazhdojnë, dhe se lufta me vjedhësit e energjisë elektrike do të shkojë deri në ndalimin e plotë të rasteve ku në mënyrë të paligjshme bëhet shfrytëzimi i energjisë elektrike.
Keqpërdorimi i energjisë elektrikes, para do kohe rezultoi me masën e parë të shqiptuar nga gjykata, që nënkuptonte vuajtje të burgut në kohëzgajtje prej një viti, për një qytetar nga Shkupi të akuzuar për veprën penale “Vjedhje të Rrymës”.
Ky ishte rasti i parë në gjykatë pas ndryshimeve në kodin penal që parasheh dënime me burg deri në pesë vite kohëzgjatje, ndërkohë që edhe dënimet financiare janë ashpërsuar duke paraparë gjoba maramendëse mes 5 mijë dhe 20 mijë euro.
Vetëm gjatë vitit 2014, gjykatat e Maqedonisë kanë shqiptuar gjithsej 280 vendime për përdoruesit që kanë vjedhur energji elektrike, prej të cilëve 250 kanë të bëjnë me persona fizikë, ndërsa 30 me persona juridikë.
Akuzat, kryesisht kanë të bëjnë me manipulimin me numrat e matësve, dhe shkyçje ilegale pas kyçjes për shkak të faturave të papaguara. Si rezultat i kësaj nëntë qytetarë do të duhet që të vuajnë dënim me burg për një viti.
Zëvendësimi i matësve mekanik, me ato digjital në masë të madhe ka ulur numrin e keqpërdorimeve të energjisë elektrike, shprehet zëdhënësja e EVN-së Vlera Gjakova, sipas të cilës aparatet e rinj digjitalë në mënyrë shumë më preçize e masin energjinë e shpenzuar elektrike, por ajo ka një shqetësim tjetër: ”Shqetësues është fakti se tani në rritje është numri i vjedhësve të energjisë elektrike tek kompanitë, i cili për vitin 2014 arrin numrin në 74 keqpërdorues. Vetëm në muajin janar 2015 janë zbuluar 70 vjedhës të energjisë elektrike. Si pasojë, dëmi përllogaritet rreth 100 mijë euro”, thotë ajo.
Po t`i pyesësh qytetarët, ata do të ankohen për fatura të fryra, për çmime të shtrenjta, ndërsa ankesa më e madhe për të cilën në vend ka vite që zhvillohet debat është faturimi i 33 %-shit, të të ashtuquajturës “Fuqi e angazhuar“ Deri më sot, askush nuk jep përgjigje përse qytetarëve u faturohet dicka e cila nuk është shfrytëzuar.
Në Gjykatën Kushtetuese janë dorëzuar peticione për ta shfuqizuar këtë masë, por sot e kësaj dite, qytetarët akoma paguajnë fatura për 33% më të shtrenjta.
”Përmes pagesës së fuqisë së angazhuar, konsumatorët paguajnë garanci për kapacitetin në dispozicion të cilin mund ta shfrytëzojnë në çdo kohë, në përputhje me kapacitetin që u është aprovuar“- është sqarimi i zëdhënëses së EVN-së. /tesheshi.com/