Ambasada e Kosovës në Tiranë, një punë e mundimshme pasi fqinj ke Serbinë

Nga Ylli Pata

Kosova e “dënuar” të jetë ngjitur me Serbinë edhe në shtetin amë-Shqipërinë. Një “peshqesh” i tre viteve më parë nga ana e qeverisë së Shqipërisë, selia diplomatike e Kosovës është e detyruar të kryejë një aktivitet “paradiplomatik” për të mos rënë pre e “kurthit” të shërbimeve agresive serbe.

Edhe pse diplomatët e Kosovës thonë se gjithçka shkon mirë se Serbia e Kosova janë fqinjë dhe nuk ka probleme, gjithsesi nga ana praktike ka një handikap të madh. Më shumë për Kosovën sesa për Serbinë. Për arsye se Serbia nuk ka komplekse për të kryer çdo aktivitet, më konkretisht më shumë se kryen selia diplomatike e Serbisë në Kosovë është në vëzhgim të gjithçka që ndodh.

Jo më kot, në krye të saj ambasador është Miroljub Zariç, një diplomat i cili si rrallëkush në Shqipëri ka 20 vjet punë, që nga ambasada e Jugosllavisë, e deri e Serbisë, ku ka kaluar të gjitha shkallët e karrierës.

Si mund të kryhet një veprim normal, kur sa të dalësh në ballkon e di se mund të kesh të bësh me mjeshtrat e shërbimit serb, që presin ndanë teje me mjetet më bashkëkohore. Vendimi për caktimin e vendit të ambasadës së Kosovës, e ka marrë qeveria “Berisha”, ku ia dha territory i ish ambasadës së OSBE-së, e cila u largua si pasojë e uljes së fondeve.

Vendimi ishte problematik në dy aspekte, edhe të konfliktit pronësor pasi zotëruesit e truallit kërkonin të përfitonin të drejtën e tyre, por edhe në aspektin operativ për mirëfunksionimin e punës së ambasadës. Media shqiptare ka shkruar më pas se e gjitha u bë për t’i hapur rrugë ndërtimit të një pallati pranë, i cili do ta kishte më të lehtë që të bëhej nëse ngjitur nuk do të kishte kontestimin e një selia diplomatike.

Dhe Kosova natyrisht që nuk e ka dhënë. Madje ka qenë mjaft dashamirëse.

Në një deklarim të paradokohshëm, ambasadori i Kosovës në Tiranë, Fehmi Lladrovci, ka thënë se nuk ka asnjë problem.

Kurse Kryeministri Edi Rama, i cili është pyetur gjatë mbledhjes së përbashkët Shqipëri-Kosovë, më 23 Mars, ka deklaruar se “Nuk është biseduar për këtë çështje gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, por një gjë është e sigurt, sipas tij, që e gjithë kjo situatë nuk rrezikon godinën e Ambasadës së Kosovës. “Nëse Ambasada do të lëvizë, kjo do të ndodh vetëm për të qenë më mirë”, tha deklaruar Rama.

Aktualisht objekteti i Ambasadës së Kosovës në Tiranë ndodhet në një nga zonat më të mira të kryeqytetit, në rrugën Donika Kastrioti, vila nr. 6, 1001.

Më herët kjo vilë (godinë) ka qenë e zyrave të OSBE-së në Tiranë. Por trualli (toka) ku ndodhet sot Ambasada ka probleme pronësie. Gjykata e Rrethit të Tiranës, në vitin 2012, me një vendim të sajin, i ka kthyer pronën që është aktualisht Ambasada, pronarëve legjitimë të saj, por selia diplomatike vazhdon të ushtrojë aktivitetin e saj po aty.

Megjithatë nuk përjashtohet edhe mundësia e kompensimit financiar të pronarit, dhe Ambasada të vijojë të qëndrojë në vendin ku ndodhet aktualisht. /tesheshi.com/

 

Related posts