Vettingu jep tronditjen e parë: pas rrëzimit të Plarent Ndrecës, Basha ka shansin të hyjë në sistem për ngritjen e institucioneve të drejtësisë

Nga Ylli Pata

Vettingu fut në ngërç sërish politikën shqiptare me sistemin e tij drakonian. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka rikonfiguruar renditjen e bërë nga disa institucione vendore në lidhje me Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Në mënyrë të prerë, pa shpjegim, por me të drejtë apelimi, ndërkombëtarët kanë eleminuar kandidatura të sjella nga mazhoranca ku spikat Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Plarent Ndreca, i cili në mandatin e kaluar ka mbajtur të njëjtin pozicion më Ministrinë e Arsimit.

Ç’ka ndodhur realisht?

Në kandidaturat e ardhura për KLP-në janë renditur në bazë të kritereve formale si shkolla, eksperienca etj., njerëzit që marrin pikë në bazë të letrave të depozituara. Dhe bëhej fjalë për një listë të gjatë, e cila renditej sipas plotësimit të kritereve.

Por OMN që përbëhet nga ekspertë amerikanë dhe europiane, kanë ndryshuar listën duke larguar një njeri të rëndësishëm të qeverisë. Kjo ka sjellë në fakt aktualizimin e parë dhe serioz të sistemit të vettingut, i cili është i rreptë, i sertë, i ndërlikuar, e po ashtu mizor në ndëshkimin e tij.

Tani realisht situata është në dorë të opozitës. Lulzim Basha ka mundësi që të futet sërish në sistem, duke treguar se PD ka kapacitete dhe vullnete për të bashkëpunuar për zbatimin e reformës në Drejtësi.

Parlamenti duhet të ngrejë një komision Ad Hoc me 5 anëtarë, 3 nga mazhoranca dhe dy nga opozita, të cilët do të vendosin se çdo të bëjnë: do të miratojnë kandidaturat e sjella nga lista e parë, apo ato që ndërkombëtarët përmbysën?

Në Komisionin Ad Hoc, PD-ja ka të drejtën e vetos dhe pa dhënë dritën jeshile opozita nuk mund të merret asnjë vendim. Këtë e bëri të ditur vetë kryetari i komisionit parlamentar të Ligjeve, Ulsi Majnja, i cili shpjegoi Kushtetutën duke thënë se OMN-ja ka dhënë verdiktin e saj dhe tani i takon parlamentit të vendosë.

Vetë Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genc Gjonçaj, ka dërguar në seancë edhe kandidatët e rrëzuar nga OMN  por edhe ata që ndërkombëtarët kanë kualifikuar.

Tani është në dorën e Kuvendit që të vendosë. Është prova e parë përballë ndërkombëtarëve, në kuadër edhe të Samitit të Sofjes ku Shqipëria pret të hapë negociatat me BE-në.

Ulsi Manja, kryetari i komisionit parlamentar të Ligjeve, jep një koment ligjor dhe nuk dëshiron të mbajë anë. Ai thekson se procedura është e qartë dhe po zbatohet ajo që është miratuar në Kuvend.

“Komisioni i Ligjeve hap procedurat për ngritjen e KLP dhe KLGJ. E bëra këtë lidhje, sepse edhe pyetja shkon në sinkron me ngritjen e dy këshillave.

Në finale, sipas Kushtetutës dhe ligjit, vendimmarrja i takon nënkomisionit ad hoc, që do të ngrihet.

Cilado të ketë qenë vendimmarrja e institucioneve të përfshira në procesin e filtrimit të kandidatëve, qoftë Avokati i Popullit, qoftë trupa e pedagogëve, qoftë trupa e avokatëve, qoftë ONM-ja, qoftë sekretari i Përgjithshëm, që ka një rol në këtë proces, në finale vendimmarrja i takon nënkomisionit ad hoc që do të ngrihet nesër, me përbërjen që e kanë caktuar Kushtetuta dhe ligji, 5 anëtarë, 3 shumica, 2 pakica dhe ky komision do të ketë mbi tryezën e punës të gjithë dokumentacionin e të gjithë kandidatëve, si të atyre që i plotësojnë kriteret formale, por edhe të atyre që nuk i plotësojnë kriteret formale. Kjo është procedura. Jam i bindur se ky komision do ta bëjë më së miri punën e tij”.

Dilema tani është në duart e palëve, PS-së dhe PD-së. Nëse procedurat mbahen peng si ndodhi në maj kur u ngrit çadra, ngritja e KLP-së dhe KLGJ-së shkon në kalenda. Nëse miratohen, Arta Marku bëhet më e përkohshme se kurrë… /tesheshi.com/

Related posts