728 x 90 Leaderboard

Ventura, trajneri i Torinos, më pranë stolit të kombëtares italiane

Giampiero Ventura është për momentin kandidatura numër një për të zëvendësuar Antonio Conte-n në stolin e përfaqësueses së Italisë.

Që kur ky i fundit lajmëroi kohë më parë se do ta linte Italinë pas Euro 2016-ës, një duzinë emrash janë përmendur si të mundshëm për ta marrë këtë post.

Por ndërsa presidenti i federatës italiane të futbollit, Carlo Tavecchio, është i prirur ta bëjë të njohur emrin e trajnerit të ri përpara nisjes së Euro 2016-ës, gishti drejtohet nga Ventura. Trajneri i përfaqësueses shqiptare, De Biasi, dhe ai i Sampdorias, Vincenzo Montella, janë përmendur gjithashtu mes pretendentëve për postin, por gazetat më të mëdha sportive italiane lënë të kuptohet se ata nuk po merren më në konsideratë.

Çka e bën më të mundshme emërimin e Ventura-s është respekti që gëzon për të si Tavecchio, po ashtu dhe Marcello Lippi, i cili do të jetë drejtori i ri teknik i kombëtares italiane.

Gjithashtu ekipi i Torinos u ka dhënë lejen drejtuesve të futbollit italian që t’i bëjnë një ofertë Ventura-s.

Giampiero Ventura ka drejtuar një numër të madh skuadrash gjatë karrierës së tij si trajner, por gjithmonë të nivelit modest. Përjashtim bën drejtimi i Napolit për një vit në mesin e dekadës së shkuar, ndonëse skuadra napolitane e asaj kohe ishte shumë më poshtë nivelit të sotëm. Ventura e drejton Torinën që nga viti 2011, dhe kontrata e tij përfundon pas dy sezonesh. /tesheshi.com/

Related posts