Valdete Idrizi e PDK-së premton rindërtimin e 300 shtëpive për banorët e veriut të Mitrovicës

Kandidatja e PDK-së për kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi gjatë një takimi që ka zhvilluar me banorët e Suhodollit, në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, u ka premtuar atyre rindërtimin e shtëpive për banorët e dëbuar nga atje.

Ajo tha se do të tejkalohen barrierat e krijuara dhe në bashkëpunim me strukturat legale në veri të vazhdoj procesi i rindërtimit që ishte ndërprerë në mandatin e fundit qeverisës në Mitrovicë.

“Ju jeni dëshmitarët më të mirë që mund ta bëni dallimin ndërmjet atyre që flasin dhe atyre që punojnë”, tha ajo.

Sipas saj, në programin për qeverisje në mandatin 2017-2021 planifikohet të gjenden fonde për rindërtimin e 300 shtëpive në lagjet e veriut, në mënyrë që banorët të mund të kthehen në shtëpitë e veta.

“Nëse ka vendosmëri dhe bashkëpunim, patjetër se procesi i rindërtimit do të mund të rifilloj dhe të zhvillohet ashtu siç ka qenë dikur duke bërë të mundshme kthimin e jetës për shumë lagje të veriut”, tha ajo. /tesheshi.com/