Universitetet publike të hapura nga qeveria, Thaçi: ja pse po dalin të dështuara dhe shkeljet që bëhen në to

Nga Blendi Gashi

Iniciativa e ish-kryeministrit, tani presidentit Hashim Thaçi për të hapur universitete publike në çdo qytet të Kosovës po del të jetë e pasuksesshme, ndonëse ato u hapën me shumë bujë, kryesisht në kohë fushatash elektorale.

Por pak vite pas themelimit, universitetet publike, i Pejës (Haxhi Zeka), Prizrenit (Ukshin Hoti), Gilanit (Kadri Zeka) Mitrovicës (Isa Boletini), Gjakovës (Fehmi Agani) e Ferizajt  (Universiteti i Shkencave të Aplikuara) po ballafaqohen me probleme të ndryshme duke u nisur nga mungesa e stafit akademik ku për pasojë këtë vit janë pezulluar disa programe nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA).

Se ka probleme të mëdha në këto universitete tregon edhe raporti i Auditit, ku një prej problemeve kyçe që ka adresuar është (keq) menaxhimi i pagave për profesorët, pra trashja e kuletës e disa profesorëve pa bërë punën e plotë.

Gjatë auditimit të pagave të stafit akademik, në gjashtë universitetet e sipërpërmendura, është vërejtur në shumë raste se rregulloret për të ardhurat personale nuk janë zbatuar.

Në katër raste në Universitetin e Prizrenit dhe në një në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”, sipas Auditit nuk është mbajtur norma e plotë e orëve mbi normë, derisa kompensimi ndaj profesorëve ishte bërë i plotë, edhe pse Rregullorja parasheh që kompensimi të mos bëhet në rast të mos plotësimit të normës.

Gjetje tjetër e Auditit është se në tre raste në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” profesorët paguhen në avanc, (p.sh. për orët mbinormë të muajit dhjetor, profesorët kompensohen po në muajin dhjetor, ndërsa sipas rregullores për pagat, kompensimi duhet të bëhet në muajin pasues në bazë të dëshmive për mbajtjen e atyre orëve).

Raporti më tej tregon se në nëntë  raste në Universitetin e Prizrenit, katër  raste në Universitetin “Kadri Zeka” listat e vijueshmërisë së studentëve në ligjëratë nuk janë vërtetuar nga personi i autorizuar i fakultetit.

Sipas Auditit, mosvërtetimi i listave nga zyrtarët e autorizuar lë hapësirë për dyshim në mbajtjen e orëve nga mësimdhënësit.

Megjithatë duhet të theksuar se Universiteti i Prizrenit pas rekomandimit të Auditit, në tremujorin e fundit të vitit 2016, është angazhuar në përmirësimin e kësaj mangësie. Një tjetër shkelje është mosshënimi i orëve nga profesorët.

“Nga 52 mostrat e testuara në Universitetin e Prizrenit dhe Universitetin “Haxhi Zeka”, në dy  raste në UHZ, dhe në gjashtë raste në UPZ kemi vërejtur se profesorët nuk shënojnë fare orën e mbajtjes së ligjëratës, e disa të tjerë shënojnë vetëm fillimin e orës së mbajtjes së ligjëratës, përderisa zyrtarët përgjegjës për kalkulimin e orëve të mbajtura e bëjnë atë pa ato dëshmi.

Në dy  raste kemi vërejtur që profesorët nuk e kanë plotësuar në tërësi fondin e orëve të parapara për mësimdhënie, dhe të njëjtit janë kompensuar me pagë të plotë. Në një rast profesori kishte mbajtur vetëm katër orë mësim më pak, dhe rasti tjetër profesori gjashtë  orë më pak mësim, derisa kanë marrë pagën e plotë. Sipas rregullores, mos mbajtja e orëve penalizohet me heqje të pjesshme të pagës”, thuhet në raport.

Auditi tërheq vërejtjen se kompensimi i profesorëve në kundërshtim me rregulloret rrit rrezikun e keqmenaxhimit me buxhetin dhe ekzekutimin e pagesave të parregullta. Po ashtu pagesat në avancë, mungesa e monitorimit dhe verifikimit të vijueshmërisë së proçesit mësimor nga zyrtarët e autorizuar të fakultetit rrit rrezikun e kryerjes së pagesave për shërbimet potencialisht të pa pranuara.

Auditi rekomandon që ministri në bashkëpunim me rektorët e universiteteve duhet të sigurojnë që të gjitha pagesat/kompensimet të bëhen në pajtim të plotë me Rregulloret e të Ardhurave Personale.

“Duhet të forcohen kontrollet e monitorimit dhe verifikimit të vijueshmërisë së procesit mësimorë në mënyrë që pagesat të jenë të bazuara në shërbimet e ofruara, ndersa për orët e pa mbajtura duhet të zbatohen ndalesat konform kërkesave të rregulloreve”, thuhet në raport. /tesheshi.com/